Shqipëria nuk teston mësuesit, Qirjako tregon pse nuk do bëhet
Shqipëria nuk do të testojë mësuesit para fillimit të vitit shkollor. ”Ne nuk e kemi konsideruar të rëndësishme testimin paraprak, pra para fillimit të mësimit sepse ky është një infeksion që ti mund ta marrësh çdo ditë, edhe në qoftë se ne testohemi sot, të nesërmen, javën tjetër gjithkush nga ne mund të infektohet”, thotë Shefja e Departamentit të Promocionit Shëndetësor në ISHP Genta Qirjako.
Nëse një mësues apo nxënës do rezultojë me Covid-19, Qirjako thotë se do të ketë testim për kontaktet e afërta të tyre, ndaj me rëndësi është ruajtja e distancës dhe mbajtja e maskës.
”Sipas hetimit epidemiologjik do të testohen të gjithë personat e afërt që kanë qenë pranë këtij mësuesi, që mund të jenë pra kolegë, familjarët e tij, po pse jo edhe ndonjë nxënës që ndoshta ka patur kontakte shumë të ngushta. Mund të ndodhë që mund të jetë ekstremi ,që mund të izolohet gjitha shkolla, pra nëse ka shumë vatra epidemike brenda të njëjtës shkollë”, shprehet shefja në ISHP.
Prindërit janë të shqetësuar dhe kërkojnë që para nisjes së shkollës në bëhet testim masiv i stafit mësimor. Në vend janë infektuar 291 fëmijë nga mosha 0 deri në 14-vjeç dhe deri më tani fatmirësisht nuk ka asnjë vdekje.