Shqipëria, si ndryshon për kualifikimin historik në Armeni (formacioni i mundshëm)

Ndaj Armenisë formacioni kuqezi pritet të ndryshojë sërish, ashti si edhe ndaj Serbisë. Nesër në Jerevan kërkohet fitorja si e vetmja alternativë për kualifikimin direkt në finalet e Kampionatit Europian.

Trajneri Xhani  De Biazi është i detyruar për dy lojtarë që nuk i ka gati. Mungesa e parë e konfirmuar është ajo e Ansi Agollit, i cili pas ndëshkimit me karton të verdhë kundër Serbisë, ka plotësuar numrin 3 të kartonëve të verdhë gjatë këtyre eliminatoreve. I dyti që do të mungojë është Andi Lila, i cili doli i dëmtuar nga ndeshja e fundit dhe nuk është 100%, kështu që nuk do të rrezikohet me të. Probleme shëndetësore ka shfaqur edhe Kaçe, që ka pasur pak temperaturë, por do të jetë i gatshëm në stol.

Kështu që trajneri i Shqipërisë do të tentojë ta dërgojë Shqipërinë në Europianin 2016 me një formacion tjetër. Ndryshe nga tri ndeshjet e fundit, De Biazi ka në plan që nesër të ketë formacion më sulmues në ndeshjen ndaj Armenisë. Sipas të gjitha gjasave, në sulm do të nisin nga minuta e parë me dy sulmues, Sokol Cikalleshi dhe Shkëlzen Gashi, të ndihmuar nga dy krahët e mesfushës, me Ermir Lenjanin dhe Odise Roshin.

Në vend të Agollit mendohet të jetë Naser Aliji, i cili në ndeshjen e fundit nuk ishte as në 18-she. Megjithatë, nëse ai nuk do të jetë 100% mendohet që Xhimshiti të vihet në krahun e majtë të mbrojtjes. Në qendër të këtij reparti do të rikthehet Ajeti, kuptohet, me Canën pranë tij. Në të djathtë Hysaj është i palëvizshëm. Në mesfushë, Basha pritet të jetë së bashku me Xhakën, ku nga krahët do të jenë, në të majtë Lenjani dhe në të djathtë Roshi. Skema do të jetë ajo klasike, 4-4-2, por nëse kalohet në avantazh, do të rikthehet 4-5-1, ose ndoshta në fundin e lojës, gjithnjë nëse do të jemi duke fituar, mund të kalojë edhe në 5-4-1. De Biazi kërkon të shmanget patjetër ankthi i minutave të fundit.

SHKARKO APP