Shqipëria si portë e artë drejt BE-së, Policia: 243 emigrantë u kapën në 5 muaj! Hyjnë nga Korça e Gjirokastra, dalin nga Kosova
Shqipëria prej vitesh është cilësuar si një ”portë e artë” e emigrantëve, që e përdorin vendin tonë për të shkuar më pas në vendet e BE-së. Të dhënat zyrtare të policisë, tregojnë se 18 shtetas janë të huaj nga 54 persona të arrestuar që ndihmuan emigrantët e paligjshëm të kalojnë kufirin e vendit tonë nga janari deri në fund të majit.
Pjesa tjetër prej 36 personash janë shqiptarë trafikantë që shfrytëzojnë rastin për t’i ndihmuar të huajt që të kalojnë në kufi kundrejt pagesave. Të ardhur në vendin tonë prej kohësh, duke u kamufluar edhe me kontrata pune, kryesisht në ndërtim, këta të huaj që vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme, por edhe të Azisë Jugore, e kanë kthyer në biznes trafikimin e bashkëkombësve të tyre.
Që në momentin e parë që hyjnë në mënyrë të paligjshme përmes vijës kufitare në Korçë dhe Gjirokastër, klandestinët merren dhe transportohen në mënyrë të organizuar me automjete të vogla ose furgona. Në pjesën më të madhe të rasteve ata qëndrojnë 10 deri në 20 ditë, të strehuar në banesa në qytete të ndryshme, përfshirë edhe periferinë e Tiranës.
Nga janari deri në fund të majit të këtij viti, sipas policisë, numri i klandestinëve të kapur është 243 në total, ndërsa harta e vendeve të origjinës është e larmishme. Pjesa më e madhe janë nga Afganistani, 71 prej tyre, për të vijuar me 64 persona nga Bangladeshi dhe 52 nga Pakistani. Në kufirin me Kosovën nuk kanë munguar edhe incidentet me policinë. Rasti i fundit ishte ai me të shtëna drejt efektivëve, ku për fat të mirë nuk u lëndua njeri.
Trafikimi
44 raste të konstatuara
36 autorë shqiptarë
18 shtetas të huaj
54 autorë në total
Janar-maj 2023
71 persona nga Afganistani
64 persona nga Bangladesh
52 persona nga Pakistani
26 persona nga Siria
17 persona nga Nepali
9 persona nga Maroku
3 persona nga India
1 person nga Palestina
Totali – 243