Shqipëria si Serbia? Peleshi tregon nëse do të rikthehet shërbimi i detyruar ushtarak
Rikthimi i shërbimit të detyruar ushtarak ishte një nga temat e nxehta për të cilat ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, u pyet gjatë lidhjes nga Ministeriali i NATO-s në Bruksel.
Nisur edhe nga një deklaratë e homologut të tij serb, Millosh Vuçeviç, që në fillim të vitit njoftoi rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak për qytetarët me afat 4-mujor, Peleshi tha se ka një hap tjetër që Shqipëria do të ndërmarrë para se të nisë ky diskutim.
“Ka një hap tjetër para se të shkojmë në hapjen e këtij diskutimi, që është forca rezerviste. Përveç ushtrisë profesioniste që kemi ne na mungon një forcë rezerviste që na mungon tani. Një forcë rezerviste që na mungon tani. Kemi hartuar një ligj që do të miratohet shumë shpejt në qeveri dhe parlament për krijimin e forcës rezerviste.
Duke filluar nga vjeshta e këtij viti do të kemi kontingjentin e parë të forcës rezerviste që e mendojmë në Elbasan. Më pas, ky numër do të shkojë deri në 2 mijë apo 2200, maksimumi i parashikuar. Forca rezerviste mbi baza vullnetare, trupa të shtuar për 2 apo 4 javë aty ku parashikohet në domeine të ndryshme”, tha Peleshi.