Shqipëria thuajse e gjitha nën ujë, Çako: Po e kontrollojmë totalisht situatën

Ndonëse situata në realitet është emergjente, qeveria nga ana tjetër prezanton një situatë nën kontroll. Haki Çako, drejtori i Emergjencave Civile, thotë se autoritetet e kanë totalisht nën kontroll situatën e përmbytjeve.

”Vijojmë të ndjekim situatën në Qarkun e Shkodrës, ku situata është nën kontroll. Vijon i njëjti ritëm në nivelet e prezencës së ujërave në Obot, por prurjet janë të stabilizuara. Problematikat janë ndjekur nga njësitë operacionale të bashkive dhe po kontrollojmë totalisht situatën”, thekson Çako.

Shirat e dendura që kanë përfshirë vendin tonë prej disa ditësh vijojnë të shkaktojnë përmbytje masive në zonën veriore. Në Bashkinë e Shkodrës raportohet se janë përmbytur 1823 hektarë tokë, por nuk ka shkaktuar probleme në banesa.

Vijon të jetë e bllokuar rruga për në Obot pasi niveli i ujit ka arritur mbi 80 cm dhe është e kalueshme vetëm nga mjetet e larta. Jashtë funksionit është edhe Ujësjellësi Oblika 1, ndërsa UKSH ka furnizuar me ujë të pijshëm banorët e fshatit Oblikë. Shkarje dherash ka pasur në rrugën Baks-Rrjoll dhe Bashkia po punon për pastrimin. Rritje të nivelit të ujit ka edhe në Liqenin e Shkodrës, në zonën e Livadeve dhe Dobraç.

SHKARKO APP