Shqipëria ul varësinë nga nafta ruse

Eksportet u rritën 46% në bazë vjetore, ndërsa importet me 23%. Grupet që ndikuan në rritjen e eksporteve ishin mineralet, lëndët djegëse, materialet e ndërtimi dhe tekstilet. Të njëjtat grupe rritën edhe importet në vend, por faktor kryesor janë edhe çmimet e rritura të produkteve, pasi në peshë sasia e mallrave të importuara dhe eksportuara është më e ulët ose e barabartë në krahasim me një vit më parë.

Shqipëria ka ulur në mënyrë drastike tregtinë me Rusinë, nga 1.57 miliardë lekë mallra, në 278 milionë lekë prillin e këtij viti. Nga krahu tjetër, me Ukrainën vendi ynë ka ulur importet, por ka rritur eksportet, gati duke i dyfishuar në vlerë. Ukraina është një konsumuese e frutave dhe perimeve Made in Albania.

Një tjetër fakt që bie në sy nga shifrat e prillit është se sa i përket grurit vendi ynë ka marrë 9 mijë tonë më pak nga Rusia, por kjo është kompensuar tërësisht nga Serbia, nga ku importuam 10 mijë tonë më shumë, gjë e cila ka sjellë dhe rritjen në vlerë.

Për ushqimet vendi ynë ka rritur sasinë e importeve edhe nga vende të tjera ku në sy bie Franca, Bullgaria dhe Polonia.

Sa i përket karburanteve vendi ynë ka ulur në vlera minimale importin e naftës me Rusinë, nga 22 mijë ton që merrnin prillin e një viti më parë, në 1 mijë ton, ndërsa po furnizohet më shumë nga shtetet si Algjeria, Izraeli, Turqia dhe ajo që bie në sy është Kolumbia, nga ku morëm 3 mijë ton më shumë lëndë djegëse në prill të këtij viti.

SHKARKO APP