Shqipëria, vendi me numrin më të lartë të të miturve të braktisur në Itali
Shqipëria përsëri mbetet vendi i cili ka numrin më të lartë të emigrantëve minorenë të pashoqëruar që kërkojnë strehim në Itali, edhe pse nuk është ndër vendet e përfshira në konflikte ushtarake apo në gjendje lufte e as nën fatkeqësitë e tragjedive natyrore. Nurmi i tyre kapërcen numrin e emigrantëve minorenë të pashoqëruar që mbërrijnë nga Afganiastani, Guinea, Somalia, Mali etj.
Autoritetet italiane kanë publikuar të dhënat e fundit të përditësuara mbi situatën e minorenëve të pashoqëruar në Itali e për disatin vit radhazi minorenët shqiptarë renditen në vendet e para. Të dhënat e përditësuar deri më 31 gusht 2020 informojnë se emigrantët minorenë të pashoqëruar shqiptarë në Itali janë renditur në vendin e parë me numrin më të lartë mes kombësive të huaja.
Në qendrat për strehim jetojnë 5,540 minorenë e 1,267 janë shqiptarë të cilët përbëjnë 22.9% të numrit të përgjithshëm. Në vend të dytë renditet Bangaldeshi me 965 minorenë të pashoqëruar, Egjipti, Pakistani, Tunizia e me radhë. Ndërsa emigrantët minorenë të pashoqëruar nga Kosova, në Itali janë 177 duke u renditur në vendin e nëntë në klasifikimin sipas kombësive e përbëjnë 3.2% të numrit të tyre.