Shqipëria vijon të zbrazet, më shumë të rinj po aplikojnë për azil

Shanset për punësim dhe rrjedhimisht një jetë më të mirë janë shtysat kryesore të zbrazjes së vendit, ndërkohë që statistikat tregojnë se gjithnjë e më shumë të rinj po aplikojnë për azil. 30 vjet nga eksodi, Shqipëria vazhdon të zbrazet. Autobusë të mbushur me djem të rinj. Me valixhe e batanije, pa zbardhur dita, lënë terminalin e autobusëve ndërkombëtar dhe nisen drejt Gjermanisë, Italisë, Greqisë.

Altin Gashi, përfaqësues i një agjencie udhëtimi tregon se kërkesat për largim kanë ardhur në rritje, pavarësisht pandemisë dhe masave që kanë marrë disa shtete për lëvizjen. ”200-350 vetë nisen tani. Momentalisht kanë dalë 4-5 autobus. Destinacioni Gjermania, Kosova, Italia, normal dalin për të punuar atje. Deri në 1500 lëvizin në ditë, 1000 veta i merr veç Greqia, pastaj lëviz Gjermania Italia, Bullgaria”, thotë Gashi për ”Euronews”.

Sipas Instat, popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2020 ka pësuar një rënie me 0,6 %, krahasuar me periudhën 1 Janar 2019. Vitin e kaluar, numri i emigrantëve shqiptarë arriti në 43.835 persona, duke pësuar një rritje prej 13,3 %, krahasuar me një vit më parë.

Referuar Eurostat, 30 mijë e 500 shqiptarë kanë aplikuar për azil nga fillimi i vitit 2019 deri në gusht të 2020. 78% e totalit të aplikimeve për këtë periudhë janë persona deri në 34 vjeç. Departamenti i Popullsisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitin 2100, projekton se popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë. Ndërsa skenari normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë.

SHKARKO APP