Shqiponjat ”rrethojnë” vendin, 184 persona të shoqëruar
Forcat RENEA të mbështetura nga disa grupe të FNSH, forcat “SHQIPONJA”, oficerë të krimeve të rënda gjithashtu dhe sektorit të krimit ekonomik po zhvillojnë një aksion blic për të goditur grupet kriminale që veprojnë në këto qarqe, ku janë lëshuar disa urdhër ndalimi dhe janë shoqëruar disa persona.
Kontrollet në ish-lokalet e lojrave të fatit janë kryer me vendim Gjykate, si në Tiranë edhe në rrethe. Gjykata e Tiranës ka caktuar kontrollin e rreth 50 personave dhe subjekteve të tyre si të dyshuar për ushtrim të veprimtarisë së lojërave të fatit. Sipas burimeve gjatë aksionit të policisë, efektivët kanë zbarkuar nëpër lokalet e kryeqytetit për kontrolle të imtësishme për gjetjen e armëve ose sende të paligjshme, si dhe për të zbuluar se kush vijon zhvillimin e lojërave të fatit në kushtet e paligjshmërisë me qëllim prangosjen e personave të dyshimtë.
Rreth 20 persona janë shoqëruar deri tani në qytetin e Tiranës, 100 të tjerë në Elbasan dhe 64 në Durrës, ndërsa aksioni është ende në zhvillim e sipër. Ndër personat e shoqëruar në Elbasan kanë qenë edhe administrator të lokaleve të ndryshme që kanë pasur lloto. Ky operacion ka nisur prej një jave, ndërsa kontrollet janë intensifikuar gjatë ditëve të fundit.
Gjatë kontrolleve në Elbasan, efektivët kanë sekuestruar kamera të lokaleve të ndryshme, atje ku dyshohet se në mënyrë të fshehtë organizohen lojëra të palejuara të fatit, si dhe aparatet celularë të disa personave për të për të parë nëse kanë luajtur lojra fati përmes telefonit. Aksioni ka qenë i befasishëm dhe pritet që të ketë zhvillime të tjera në orët në vazhdim, ndërkaq familjarët e të shoqëruarve janë grumbulluar tek porta kryesore jashtë ambienteve të komisariatit dhe qëndrojnë në pritje të lirimit të të afërmve të tyre.
Sipas burimeve në policinë e Durrësit mësohet se deri në orët e para të mëngjesit nuk janë gjetur aparate, kompjutera apo makineri të cilat shërbejnë për të vënë baste apo për të luajtur bixhoz. Por sipas këtyre burimeve rezulton se metodat janë sofistikuar. Bastet vendosen me celularë online në kompani që ndodhen jashtë vendit dhe paratë qarkullojnë nëpërmjet kompanive që merren me transferta monetare. Policia ka sekuestruar një numër celularësh të cilët po analizohen nëse ne to janë vënë baste online.