Shqiptarët bilanc më negativ për vitin 2024 krahasuar me vitin 2023
Sondazhi i fundvitit i DataCentrum-Barometri-Euronews Albania ka pyetur qytetarët lidhur me bilancin e tyre personal për vitin 2024. Pyetjes: “Sa i mirë ka qenë viti 2024 për ju personalisht”? 40.6% e tyre i janë përgjigjur që ka qenë një vit i mirë, 20.6% e tyre një vit jo i mirë dhe 38.5% e tyre janë përgjigjur neutral. Krahasuar me një vit më parë lidhur me bilancin e vitit 2023, 55.1% e qytetarëve janë përgjigjur se ka qenë një vit i mirë, 14.4% vit jo i mirë dhe 30.5% e qytetarëve janë përgjigjur neutral.
Një pyetje tjetër lidhur me bilancin personal për vitin 2024 e bërë nga Barometri-Euronews Albania ka qenë: “Çfarë note do t’i vendosnit vetes këtë vit marrë parasysh detyrat/ objektivat që keni realizuar ose jo? (nota 10 shkëlqyeshëm/ nota 4 ngelëse)”, 35.9% e qytetarëve i kanë vendosur vetes notat 8-9-10, 30.2% e qytetarëve i kanë vendosur vetes notën 7 dhe 33.6% e tyre i kanë vendosur vetes notat 6-5-4.
Sërish të pyetur nga DataCentrum-Barometri-Euronews Albania në vitin 2023 për të njëjtin vlerësim, qytetarët i kanë vendosur nota më të larta vetes së tyre marrë parasysh detyrat dhe objektivat që kishin realizuar. Në vitin 2023, 45.2% e qytetarëve i kanë vendosur vetes notat 8-9-10, 26.9% e tyre notën 7 dhe 24% e tyre i kanë vendosur vetes notat 6-5-4.