Shqiptarët duan azil, Lazimi: Në 2050 mund të katandisemi me 800 mijë banorë në Shqipëri

Mbi 207 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në vendet e Bashkimit Europian në 10 vitet e fundit. Numri më i lartë i aplikimeve për azil ishte në vitin 2015, me rreth 67 mijë persona, duke u përgjysmuar një vit më pas dhe duke u luhatur në nivelet e 20-24 mijë persona në 2017-2019.

Analisti Majlind Lazimi thotë se ky problem madhor, duhet të trajtohet si prioritet kombëtar. “Shqipëria është kampione, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Europë në raport me popullsinë sa i takon azilit. Emigracioni do të krijojë një barrierë dhe taksë shtesë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Ballkani është edhe vend tranzit i azilkërkuesve. Shqiptarët kanë një dëshirë dhe psikozë kolektive për të kërkuar një jetë më të mirë diku tjetër”.

Sipas Laizmit emigracioni është një plagë e madhe dhe pavarësisht kushteve ekonomike më shumë është një çështje politike, ku kërkohet dakordësi ndërpartiake dhe duhet të jetë prioritare nga të gjithë aktorët në Shqipëri. Duke akuzuar politikën si mediokre në përthithjen e trurit, Lazimi sugjeron rritjen e cilësisë së arsimit dhe krijimi i një platforme për rikthimin e të rinjve duke iu ofruar mundësi pune dhe karriere, si edhe krijimi i kurrikulave në funksion të nevojave të tregut.

Lazimi thekson se në skenarin më te keq në 2050 Shqipëria do të katandiset për 800 banorë dhe kjo do të ishte katastrofike. Sipas tij në vendin tonë ka keqmenaxhim të resurseve natyrore dhe njerëzore dhe duhet të rritet produktiviteti dhe jo të ulet kostoja e punës.

“Rasti i Kroacisë është një pikë që rritja e emigracionit është bërë fill pas futjes në BE dhe nuk mendoj se futja në BE do ta ulte emigracionin, por ajo që mendoj unë është si të bëjmë një Europë të re. Duhet të thithim investimet e huaja dhe do të kemi rritje të pagave. Të kemi politika aktive dhe qeveria të promovojë emigracionin qarkullues. Në skenarin më të keq Shqipëria në 2050 do të katandiset në 800 mijë banorë dhe kjo është katastrofike për Shqipërinë në një kohë kur në potencialet e saj mund të jetojnë 5-6 milionë shqiptarë. Kemi të bëjmë me keqmenaxhim të resurseve njerëzore dhe natyrore. Kjo duhet të bëjë bashkë si botën akademike, politikën, sektorin privat. Biznesin mund të tundohet nga emigrantët nga Bangaldeshi, por nëse merr emigrantë nga bota e tretë, kjo është vetëvrasëse pasi këta do të paguhen pak, por do të konsumojnë më pak dhe paratë do ti dërgojnë në vendet nga vijnë. Ne duhet të rrisim produktivitetin dhe jo të ulim koston e punës. Kemi nevojë të rikualifikojmë kapacitetet njerëzore”, tha në ”A2cnn”.

SHKARKO APP