Shqiptarët duan azil/ Tare: Shifrat janë të larta, shkak edhe sistemi arsimor
Mbi 207 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në BE. Një nga motivet është edhe sistemi arsimor në vend. Këtë mendim ndau edhe zv.ministri i Punëve të Jashtme Agron Tare. Sipas tij Shqipëria ka pasur përmirësim të kushteve ekonomike që nga viti ’90 e deri më sot, por shqiptarët emigrojnë për një standard jetese më të mirë.
“Shifrat e larta janë shqetësuese. Janë një sërë motivesh që nga viti ‘90 e këtej. Arsyet janë të larmishme, jo thjesht politike. Nga viti ‘90 e deri më sot Shqipëria ka pasur përmirësim të kushteve ekonomike dhe cilësisë së jetës. Një ndër motivet është që sistemi arsimor nuk është aty ku duhet të jetë.
Shqiptarët emigrojnë në vende me standard jetese shumë të lartë si Gjermani, Spanjë e Angli, që çdo lloj qeverisje të ishte nuk do të arrinte në këto vite. Është hyrje-dalje ka shqiptarë që ikin dhe shqiptarë që vijnë”,-tha Tare në ”A2cnn”.
Duke mos përjashtuar përgjegjësinë e qeverisë dhe klasës politike për largimin masiv të shqiptarëve, Tare shprehet se në vendin tonë sot jetohet më mirë se para 10 vjetësh.