Shqiptarët “harrojnë” mishin, konsumojnë brumëra

 

Kriza po e bën pjesën më të madhe të familjeve shqiptare të bëjnë hapa prapa në drejtim të konsumit. U rikthehen brumrave, teksa konsumojnë më pak mish. Bien ndjeshëm dhe blerjet e produkteve jo të domosdoshme, si pijet alkolike. Me ushqimet, që zënë gati 40% të shpenzimeve totale të një familjeje në një muaj, konsumatorët shqiptarë orientohen gjithnjë e më shumë nga produktet me çmimin më të lirë dhe ato zëvendësuese. Bie konsumi për fruta, perime nga rritja e çmimit të tyre në treg…

 

Kur u rritën çmimet e ushqimeve në botë në 2008-n, ndryshimi i tendencës së konsumit në vendet në zhvillim u cilësua gjerësisht një nga “fajtorët” kryesore. Vendet relativisht të varfëra, sidomos ato aziatike, teksa po shihnin rritje të mirëqenies filluan të konsumonin më shumë mish, çka rriti kërkesën për ushqimet e kafshëve, duke shkaktuar një efekt zinxhir.

Në të njëjtën gjatësi vale, familjet shqiptare rritën konsumin e mishit duke reduktuar disi përdorimin e brumërave. Por kjo tendencë është kthyer mbrapsht dy vitet e fundit, duke reflektuar ndryshimin e sjelljes si rrjedhojë e ngadalësimit të ndjeshëm të ekonomisë pas 2008-s, çoi në një krizë konsumi. Të dhënat e INSTAT e konfirmojnë këtë tendencë. Importet e mishit kanë rënë në 2013-2014, duke zbritur me 13% vitin e kaluar në raport me kulmin e arritur në 2012. Në të kundërt, janë rritur importet e brumërave, me 11.5% për të njëjtën periudhë (shiko grafiket: Importet/Mish dhe të brendshmet e ngrënshme të mishit; Importet/Përgatitjet prej drithërave, miellit, niseshtes apo qumështit).

Ndërsa mungojnë të dhënat për prodhimin vendas, përfaqësues të tregut konfirmojnë të njëjtën tendencë si me importet. Edmond Gjata, kryetar i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit dhe njohës i tregut të përpunimit të mishit pohon se është e dukshme heqja dorë e konsumatorëve nga mishi i viçit, i cili, me një çmim prej 800 konsiderohet një produkt i shrenjtë. Kriza e konsumit, pohon Gjata, ka ashpërsuar dhe luftën tregtare mes kompanive të ndryshme, si të vendit ashtu dhe të importit.

 

Të ndjeshëm ndaj çmimeve

Me blerjet e ushqimeve, që zënë gati 40% të shpenzimeve totale të një familjeje në një muaj, sipas shportës së INSTAT, që mat indeksin e çmimeve të konsumit, konsumatorët shqiptarë joshen gjithnjë e më shumë nga produktet me çmimin më të lirë dhe ato zëvendësuese.

Konsumatorët e pyetur në disa nga pikat e supermarketeve në Tiranë tregojnë se orientohen gjithnjë e më tepër drejt çmimeve ekonomike apo ndihen të tërhequr drejt ofertave në supermarkete, ku përfitojnë disa produkte me vetëm një çmim. Arsyetimi për këtë sjellje, sipas tyre, vjen nga “joshja” e ofertave, kundrejt faktit se çmimi në rritje i perimeve në treg, i çon drejt blerjeve të produkteve të ngrira ose kryerja e këtij procesi nga ata vetë.

Së fundmi, tendenca më e re është e heqjes dorë nga markat e njohura dhe blerjes së produkteve bazë si makaronat, orizi, kripa etj., nga firmat turke, të cilat përballë atyre italiane, apo edhe shqiptare, duket se janë pozicionuar mirë, me çmime tejet të leverdishme.

Ndërsa disa produkte po konsumohen më pak, për të tjera, që në literaturën ekonomike njihen si mallra zëvendësuese, kanë ardhur ditë më të mira. Edmond Gjata pohon se, ndryshe nga mishi i viçit, ka një rritje të dukshme të shitjeve të pulës, ndërsa qumështi po zëvendësohet me kosin.

Tregtuesit në dyqanet e shitjes me pakicë pohojnë se ka një rritje të shitjeve të biskotave të mëdha, që po përdoren si një alternativë e lirë për të ulur konsumin e produkteve të tjera të shtrenjta.

 

Produktet më të konsumuara në supermarkete

Burime pranë departamentit të shitjeve në “Eco Market”, një linjë marketesh në disa pika në Shqipëri, kryesisht në zonën e Tiranës dhe Durrësit, tregojnë për “Monitor” se lista e artikujve më të shitur pranë tyre kryesohet nga qumështi, e në vend të dytë është zëri i cigareve, sërish i konsumuar tepër. Lista vijon me djathin e bardhë, çokollatat, vezët, kosi, sheqeri, detergjentët për larje rrobash, djathi kaçkavall, e në vend të dhjetë makaronat, për të cilat ky market tregon se janë të importuara nga Italia, sikurse edhe mielli. Në po të njëjtën listë, të fundit e ndër më të konsumuarave për këtë vit, qëndrojnë pijet alkoolike, zbutësi i rrobave dhe çokokremi.

Ndërsa, drejtori i marketingut i “Big Market”, z. Meland Cirko, pohon se listën e artikujve më të konsumuar nga shqiptarët për këtë vit e kryeson veza, e cila, sipas tij, ka pasur shitjet më të mëdha në numër (jo vlerë). Lista vijon me qumështin në vend të dytë, me diferencë të ngushtë midis tyre dhe më pas, në renditje njëri pas tjetrit: vaji, mielli, kosi dhe pelenat. Këto të fundit konsiderohen më të shiturit, jo vetëm në sasi, por edhe në vlerë.

 

Produktet italiane zëvendësohen me ato turke

Një fenomen ndryshe ka përfshirë shumë nga pikat e marketeve, sidomos në lagjet e kryeqytetit. Makaronat, “të njohura” për origjinën italiane, tashmë gjenden nën siglën “Selvie” të importuara nga Turqia. Në fakt, diferenca mes makaronave italiane dhe këtyre të fundit shkon rreth 30-50 lekë për pako. I njëjti fenomen evidentohet edhe në produkte të tjera si orizi, mielli etj. Këto produkte ishin pjesë e linjës së supermarketeve “Ne për ju”, të cilat, si për “ironi” janë pjesë e linjës së marketeve me të njëjtin emër (Noi per Voi) në Itali. Nuk është i ri fakti se shumica e supermarketeve në kryeqytet kanë mallra të importuara nga vendet sllave, çmimet e të cilave janë disi më të moderuara nga ato italiane, si dhe kanë produkte të prodhuara në Shqipëri, të cilat, sipas burimeve në supermarkete, janë të preferuara nga shqiptarët për shkak të çmimeve të leverdishme. (p.sh. oriz “Teuta”, sodë buke apo maja prodhim shqiptar, biskota apo produkte të ngjashme nga kompania “Insifa”, deri edhe te lëngjet e frutave të kompanive shqiptare). Vetë konsumatorët pohojnë se shkojnë drejt produkteve të tilla, të orientuar nga ideja e një çmimi më të lirë. Burime nga supermarketi “Ne për ju” pohuan se arsyet pse kanë marrë në raftet e tyre të gjithë linjën e produkteve “Selvie” që përfshijnë lloje të ndryshme makaronash, oriz, kripa etj., vjen nga fakti se diferenca në çmim me produktet e tjera italiane është e madhe dhe konsumatorët janë të orientuar drejt çmimeve më të lira, sepse, sipas tyre “fundja janë makarona”. Burimet pohojnë se momentalisht, janë hequr të gjithë produktet e tjera, duke i lënë hapësirë vetëm kësaj firme turke, e cila duket e preferuar nga çmimet më të lira.

 

Skontot dhe forma të tjera të tërheqjes së konsumatorëve

Në shumicën e rasteve, skontot në supermarkete ofrohen nga dy arsye: në momentin që produktit po i afron data e skadencës dhe në raste hyrje në treg të një produkti të ri, i cili ofron edhe diçka shtesë si dhuratë. Në të dy këto raste, aktorët e tregut pohojnë se skontot nuk janë gjithmonë formë e mirë për të tërhequr klientët, pasi në shumicën e rasteve ata shkojnë kah produktit që janë mësuar të konsumojnë dhe nuk marrin përsipër “riskun” e marrjes së një produkti të ri, ndonëse më i lirë në çmim apo më i leverdishëm.

Një tjetër formë e “tërheqjes” së klientelës mbeten kartat e anëtarësimit në supermarket, një formë e cila është zhvilluar vitet e fundit dhe po josh një pjesë të madhe të konsumatorëve. Burime nga disa nga supermarketet në Tiranë tregojnë se kartat janë një formë e mirë, e të mbajturit të klientëve “të lidhur” të cilët gjithnjë e më tepër kryejnë blerje për të përfituar edhe dhurata më pas, apo formë shpërblimi monetare. Një pjesë e tyre pohon se klientët shpeshherë, pyesin të interesuar për numrin e pikëve, për të qenë në dijeni për sa blerje të tjera duhet të kryejnë.

Të pyetur për “Monitor” rreth konsumit në supermarket, një kliente, Juljana Lalollari, tregon se prej vitesh ka ndërruar disa supermarkete në kërkim të alternativës më të mirë, si në çmime ashtu edhe në cilësi. Kartat janë sigurisht një formë e mirë e tërheqjes për klientët, sipas saj, por më e rëndësishme është produkti që ofrohet dhe shumëllojshmëria në zgjedhje. “Unë përpiqem të zgjedh produktet më të mira që janë të leverdishme për mua dhe familjen time. Më pëlqen që në një supermarket të gjej artikuj të një game të gjerë që unë mund të zgjedh vajin, miellin, makaronat apo qumështin më të mirë”- shprehet znj. Lalollari. Ajo shton se “sekreti” i konsumit të moderuar për të gjithë familjen në supermarkete është përdorimi i “listës” së gjërave të nevojshme dhe shmangia gjithnjë e më tepër nga blerjet e “çastit”, nga të cilat shpesh, bëhen “viktimë” e blerjeve të shumta, edhe për artikuj jo të domosdoshëm. Madje, znj. Lalollari thotë se supermarketet shqiptare, duke marrë edhe nga “tendencat” e atyre jashtë, gjithnjë kanë një strukturë të tillë që artikujt më të domosdoshëm i kanë larg, në raftet më “të fshehura” dhe produktet më pak të nevojshëm, reklamohen në fillime, duke u përpjekur të marrin vëmendjen e blerësve.

 

Produktet jo të domosdoshme, Bie ndjeshëm konsumi i pijeve alkoolike

Të dhënat e tregtisë tregojnë për një rënie të ndjeshme me 17% të importit të pijeve alkoolike në 2014-n. Përfaqësues të kompanive më të mëdha të distribucionit në vend e pranojnë këtë rënie, që sipas tyre vjen nga kriza e konsumit. Si një produkt jo i domosdoshëm, konsumatorët janë të gatshëm të heqin dorë apo të reduktojnë konsumin. Tendenca ndihet dhe në baret e natës, ku frekuentuesit mund të shtyjnë gjithë mbrëmjen me një pije alkoolike, ndryshe nga më parë, kur porositë ishin mesatarisht tre-katër pije.

Ku orientohet konsumi?

Të shumta janë zonjat shqiptare të cilat tregojnë për “Monitor” se pavarësisht se në supermarkete tashmë ka shumë produkte, ata “ndajnë” fushën e përzgjedhjes së tyre. P.sh., “frutat dhe perimet kurrë nuk blihen në një supermarket”- pohojnë ato, duke preferuar kështu t’i blejnë në marketet e posaçme në qytet. Lidhur me pyetjen se çfarë produktesh konsumojnë më tepër në supermarkete, ato pohojnë se përgjithësisht është gama e produkteve ushqimore si vaj, kripë, sheqer, miell, makarona, oriz, duke mos lënë pas dhe produktet e pastrimit për shtëpi dhe rroba. Ndërsa, për të tjera produkte, të tipit kozmetike apo shampo, apo edhe të konsumit si mishra dhe nënprodukte, zgjedhin marketet apo dyqanet e posaçme, vetëm për to. Ato pohojnë se me çmimin në rritje të perimeve në markatat e qytetit, preferojnë të blejnë në supermarkete perime të ngrira, ose disa nga to pohojnë se një proces të tillë ngrirjeje e kanë realizuar vetë në shtëpi, që në verë, dhe konsumi zgjat deri ditët e sotme.

Sa u përket produkteve të pastrimit, ato pohojnë se krahas zakonit të të blerit firma që i njohin dhe që i kanë provuar, “joshen” edhe nga ofertat e ndryshme, të cilat, sipas tyre, muajt e fundit kanë qenë shumë të mira, në disa nga supermarketet kryesore në vend, ku p.sh. Me blerjen e një detergjenti larës rrobash kanë përfituar edhe një detergjent larës enësh.

 

Supermarketet, drejt përgjithësimit

“G market” është marketi më i ri, i hapur rreth 6 muaj më parë në një lagje të kryeqytetit, i cili ka sjellë një strukturë të re të supermarketeve. Banorët e lagjes pranë “Grand 1” pohojnë se ky supermarket, duke qenë se përmbledh një gamë shumë të gjerë artikujsh ka arritur të tërheqë konsumatorët përreth, të cilët, veç artikujve ushqimorë, mishi, fruta-perime etj., kanë mundësi blerje edhe të artikujve të kuzhinës, elektroshtëpiake, deri edhe rroba. I njëjti fenomen duket se është përsëritur edhe te një tjetër supermarket i hapur së fundi në Tiranë, “One Stop”, i cili sërish ofron një gamë thuajse “të pafund” artikujsh. Një model të tillë e sollën gjigantët si “Conad” dhe “Carrefour”.

Një tjetër shembull i cili provon se supermarketet kanë ardhur drejt “përgjithësimit”, vjen nga dyqanet e mishit dhe nënprodukteve të tyre KMY dhe EHW, të cilët 3-4 vitet e fundit kanë integruar në dyqanet e tyre edhe produkte ushqimore. Banorët e lagjes së ish-Bllokut ku ndodhen të dy këto dyqane, konkurrente krah njëri-tjetrit, pohojnë se të shumta janë rastet që vizitojmë këto dyqane për të blerë mish apo djathë, ndërkaq që marrim edhe një produkt ushqimor si oriz etj. në momentin që e shohim aty.

Kjo lëvizje e supermarketeve, të cilat tentojnë që drejt përgjithësimit të ‘tërheqin’ më tepër konsumatorë, jo rrallëherë është e suksesshme, pasi vetë blerësit në qytet pohojnë se shumëllojshmëria josh dhe të pasurit e një hapësire të madhe për të zgjedhur, lehtëson punë.

 

Rritja e çmimeve në treg, çfarë ndodh me konsumatorët..?

Të shumtë janë konsumatorët që pohojnë se çmimet e produkteve ushqimore janë rritur dhe ata kanë vënë re rritje me rreth 20 lekë në disa artikuj të domosdoshëm si oriz, miell etj.

Shitësit e fruta-perimeve në zonën e “Vasil Shantos” pohojnë se rritje të lartë çmimesh kjo pranverë ka rezervuar për produkte si speca, domate, kunguj, sallatë, lulelakër etj., ndërkaq, ata pohojnë se frutat gjithashtu kanë pësuar rritje çmimesh dhe momentalisht, blerësit nuk janë të shumtë p.sh. në artikuj portokall, vlera e të cilëve shkon deri në 140 lekë/kg; ndërsa mollët janë më të preferuara. Ata pohojnë se edhe bananet janë shtrenjtuar së fundmi, duke arritur 190-200 lekë/kg. Këto rritje çmimesh kanë vështirësuar punën e tyre, duke iu larguar shpeshherë edhe klientela, që sipas tyre, në koshat e reklamuar të mallrave, priren të shkojnë te portokalli më i lirë, apo patatet më të lira.

Pronarja e një pike marketi në një lagje në kryeqytet, Drita Canaj, pohon për “Monitor” se në furnizimet e dy muajve të fundit ka pasur rritje në vlerë të produkteve. Ajo tregon se tashmë nuk ka shumë mundësi fitimi, pasi nuk mundet të rrisë shumë çmimet, ndryshe banorët nuk do të vizitojnë më dyqanin e saj. Znj. Canaj pohon se konkurrenca me supermarketet e përhapura në qytet është e fortë. Ajo tregon se furnitorët kanë rritur disa nga çmimet e produkteve kryesore, por edhe atyre dytësore si çokollatat, produktet ushqimore si çokokremi, reçel, drithëra etj., diçka e cila jo rrallëherë e ka vënë përballë situatës së kthimit të sasive të mëdha të mallrave.

Një fakt të fundit që e bën të ditur është se kanë rënë shitjet për qumështin dhe vezët, pranë dyqanit të saj, duke e shpjeguar këtë fakt me atë që banorët shkojnë drejt pikave të shitjes së fshatarëve në rrugë, duke u “joshur” nga freskia, sidomos nga skandalet e fundit që dolën në media sipas saj, për cilësinë e qumështit, gjë e cila, sipas përvojës së saj 20-vjeçare në treg, i tremb konsumatorët dhe i shtyn të gjejnë zgjedhje të reja, pasi stepja e tyre me dëgjimin e një skandali përfshin të gjithë llojet e firmave, jo vetëm një./Monitor

SHKARKO APP