Shqiptarët kanë 10 ministri në Maqedoninë e Veriut por nuk flasin shqip

Nga 20 ministra që ka kabineti i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, 10 prej tyre janë shqiptarë.

Zëvendës/Kryeministri është shqiptar dhe kryetari i parlamentit të Maqedonisë është shqiptar.

Si ka mundësi që gjuha shqipe të ketë probleme me zbatimin e saj? Vetë shqiptarët drejtojnë gishtin nga shqiptarët e politikës, që sipas tyre, kanë bërë kompromise për përfitime personale.

Swiss Digital Desktop Reklama

Muzeu i Alfabetit në Maqedoninë e Veriut nuk ka ende të zgjidhur çështjen e pronësisë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në katin përdhe janë ende të dukshme reklamat e bizneseve. Kjo pasi kati përdhe dhe një pjesë e oborrit është në pronësi private.

Ndonëse shtëpia ka qenë në pronësi të atdhetarit Fehim Zavalani, në kadastrën e Manastirit emri i tij nuk rezulton asgjëkundi. Regjistrimi i parë i kësaj prone në kadastër është bërë në vitin 1932. Çuditërisht shtëpia me sipërfaqe 266 m2 dhe 500 m2 oborr rezulton në pronësi të Jovanovic Kirkova Hrisulla, nga Manastiri.

Më 1964, me vendim trashëgimie në kadastrën e Manastirit shkruhet se Kirkova mban gjysmën e kësaj pasurie, ndërsa gjysmën ua kalon dy djemve: Kirkova Jovanov Mirosllav dhe Kirkova Jovanov Darko.

Në 1972 bëhet një ndarje e re dhe Darko pjesën e tij ia dhuron vëllait, Mirosllav.

Më 1981 përsëri me vendim nga komuna dhe nga gjyqi themelor shkruhet se Kirkovic Jovan Mirosllav, i cili rezulton pronar i kësaj prone, jeton në Beograd. Pra një serb bëhet pronar i shtëpisë së Alfabetit të gjuhës shqipe.

Më 1982 me kontrate për shit blerje nga gjyqi themelor Manastir, shënohen se Kirkovic Jovanov Mirosllav është pronar me 1/4 dhe komuna e Manastirit pronare me 3/4 e oborrit.

Më 1986 nëpërmjet gjyqit themelor të Beogradit shënohet pronar Ziziç Jovan. Në vitin 2003 me vendim për transformim te tokes si pronar rezulton Zizic Jovan me 1/4 të oborrit dhe komuna e Manastirit me ¾.

“Inside Story” ka mundur të sigurojë dokumentin nga Kadastra e Manastirit që tregon se edhe sot e kësaj dite pronar i oborrit, është Ziziç Jovan.

Më 2009, kur edhe kjo shtëpi u kthye në muze, me matjen e re me hapësire 988 m2, katin përdhe e merr Millovshski Zllatko. Si pasojë e çështjes së pronësisë së pazgjidhur, muzeu i ka duart e lidhura.

“Një e katërta e oborrit është pronë private, ndërsa tre të katërtat i përket komunës së Manastirit. Kam bërë kërkesë që të na e hedhin në pronë dhe ta kemi ne si institucion.Kati përdhe, dy dyqanet, nuk janë në pronë të muzeut por janë në shfrytëzim të muzeut, ministria e kulturës na jep një fond prej 1500 euro në muaj që i paguan si qira”, u shpreh Zait Aliu, Drejtor i Muzeu të Alfabetit.

Problemet e shumta por edhe përmbajtja e vakët kanë bërë që muzeu të mos ketë vizitorë, përveçse ditën e alfabetit.

“Jo vetëm për 22 nëntor, ne kemi nevojë për gjatë gjithë vitit të kemi vizitorë, se një muze pa vizitorë është si një muze i vdekur. Muzeun e mbajnë të gjallë vizitorë”, u shpreh Zait Aliu.

Në shkollën 9-vjeçare shqipe “Goce Delçev” në Maqedoninë e Veriut, mësojnë shqip rreth 300 nxënës shqiptarë.

Por krahas gjuhës shqipe, në klasën e dytë e kanë të detyrueshme të nisin edhe mësimin e gjuhës maqedonase. Problemi është se pasi mbarojnë shkollën 9-vjeçare në shqip, janë të detyruar të ndjekin një gjimnaz maqedonisht, pasi nuk ka gjimnaz në gjuhën shqipe. Çuditërisht emri i shkollës nuk është i shkruar asgjëkundi.

Skandali është se në të vetmen shkollë shqipe të Manastirit, thuajse të gjitha njoftimet në korridoret apo sallën e mësuesve janë në maqedonisht. Nga disa filmime të fshehta të “Inside Story”, duket se edhe në këtë shkollë, është e vështirë të gjesh shqip, megjithëse së paku këtu gjithçka duhet të fliste shqip. Pavarësisht kësaj situate të zymtë, Emira Selimi, një studente nga Shkupi e ka ndarë mendjen që në Manastir të hapë bibliotekën e parë shqipe. Nisma ka gjetur përkrahje të madhe.

Ky është kati përdhe i muzeut të alfabetit ku do të vendoset edhe biblioteka. Më parë, kjo hapsirë ka qenë servish makinash dhe siç dëshmojnë edhe këto pamje, ambienti është mjaft i amortizuar. Aktualisht ai shërben si magazinë për muzeun. Mes gamës së madhe të librave të dhuruar, Emira thotë se ato që do të vendosen në bibliotekën e parë shqipe të Manastirit do të kalojnë në një filtër seleksionimi.

“Do të ngrihet një komision që do të vendose se cilat libra ia vlen të vijnë në këtë bibliotekë. Në shtetin shqiptar do të ketë një komision nga ministrja e kulturës së Shqipërisë, në Maqedoninë e Veriut do të kërkojmë nga historianët dhe Ministria e Kulturës”, u shpreh aktivistja Emira Seliu.

Ajo shpreson që së paku nga fundi i prillit biblioteka të jetë gati. Studentja thotë se ka marrë kërcënime, por, zotohet se nuk do ta ndalë asgjë në këtë nismë.

“Vetëm vdekja mund të më ndalë, asgjë tjetër nuk më tremb”, u shpreh Emira Seliu.

Megjithë skepticizmin nëse do të ketë shqiptarë që do të mund të vijnë në këtë bibliotekë, bashkatdhetarët e manastirit besojnë se bibioteka mund ta rigjallërojë qytezën e harruar të shqiptarëve.

Në pazarin e Manastirit nuk ka asnjë biznes shqiptar të reklamuar. Kamera e “Inside Story” e cila ka ndjekur nga afër situatën, ka vënë re se i vetmi biznes me pronar shqiptar që ndodhej aty, nuk kishte mbishkrim fare.

Hristo Kirjazis është pasardhës i Qirjazëve të famshëm, që bënë aq shumë për gjuhën shqipe dhe shqiptarinë. Ai mban emrin e gjyshit të tij Kristo Qirjazi që udhëhoqi për një kohë të gjatë shtypshkronjën “Bashkimi i Kombit” në Manastir. Ai mbahet mend për punën e madhe në botimin e librave, teksteve dhe gazetave në gjuhën shqipe. Megjithëse mban ndër gjene një histori të lavdishme paraardhësish, ai nuk di të flasë shqip, përveç disa fjalëve elementare si: përshëndetje dhe faleminderit. Ai dhe të gjithë Qirjazët në Manastir janë sllavizuar krejtësisht, si shumica e shqiptarëve ortodoksë në këtë zonë. Siç edhe e tregojnë këto foto me mbishkrimet e varreve të Qirjazëve, sllavizimi i atyre që nuk u larguan ka nisur shumë herët Hristo pranon se shumë shqiptarë këtu në Manastir ende kanë frikë ta pranojnë prejardhjen e tyre.

“Unë jam pasardhës i Qirjazëvë dhe jam shqiptar. Jemi pjesëtarë të familjes Qirjazi, persona të tjerë nga familja ime fshihen dhe nuk e deklarojnë se janë nga familja Qirjazi. E gjithë familja ime Qirjazi kanë frikë dhe nuk duan të tregojnë se janë Qirjazë. Unë dhe djali im Oliveri krenohemi që jemi nga familja Qirjazi, një familje vizionare që ka dhënë kontribut të madh për shqiptarët”- u shpreh pasardhësi i familjes Qirjazi.

Ai thotë se janë lënë në harresë dhe nuk gëzojnë asnjë mbështetje pasi nuk janë bërë palë me asnjë nga partitë politike. Megjithëse në shtëpinë e tyre kanë pasur edhe shtypshkronjë të librave shqip, fatkeqësisht as i biri, Oliveri, nuk flet shqip përpos kurseve të gjuhës shqipe që ka kryer. “Ndoshta kemi ardhur në këtë situatë se babai im ka pasur shumë presion dhe shumë frikë”- u shpreh Pasardhës i familjes Qirjazi. Ai thotë se shqiptarët ortodoksë në manastir kanë pasur një jetësë të vështirë, e për pasojë mjaft prej tyre janë sllavizuar.

“Të jesh shqiptar ortodoks në Manastir është e vështirë. Ka familje që kanë ardhur nga Korça, Voskopoja që i di shumë mirë, por që nuk dua ti them, dhe që kanë frikë të deklarohen se janë shqiptarë e fshihen me emra të tjerë”- u shpreh Pasardhës i familjes Qirjazi.

Sot pasardhësi Qirjazëve rrezikon të burgoset dhe ndihet i kërcënuar. Gjithçka lidhet me angazhimin e tij në vitin 2015 për rithemelimin e kishës ortodokse shqiptare. Por, angazhimi patriotik i tij hasi në kundërshtitë gati armiqësore të kishës ortodokse maqedonase.

“Rrezikoj të shkoj edhe në burg, ata më akuzojnë se kam falsifikuar dokumente”- u shpreh pasardhësi i familjes Qirjazi.

Goditjen e identitetit shqiptar në Hristo e gjen edhe tek përgjegjësia e vetë bashkatdhetarëve. Sipas tij, një pjesë e shqiptarëve janë treguar pragmatistë, duke përfituar nga joshjet e pushtetit.

“Janë shkrirë në nacionalitete të tjera, s’dua të tregoj se ndoshta ndikon keq për ta. Të gjithë janë në pozita të mira, ndërsa unë dhe djali im nuk i përkasim asnjë partie politike dhe ndoshta kjo na ka penalizuar të punësuar”- u shpreh pasardhës i familjes Qirjazi.

/TCH/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?