Shqiptarët në azil, biznesi në krizë për fuqi punëtore

Emigrimi masiv po krijon probleme të mëdha tek biznesi, i cili nuk po gjen fuqi punëtore. Donika Mici, nënkryetare e Unionit të Fasonistëve, shpjegon se ky është shndërruar në një shqetësim real për kompanitë e këtij sektori, që bazohen te fuqia punëtore dhe kryesisht krahu i lirë i punës. ”Kohët e fundit ka vështirësi, kështu që i gjithë sektori po spostohet drejt vendeve më të populluara. Moshën mesatare e kemi pasur 22-vjeç, tani është rritur shumë. Dikur nuk merrnim moshat mbi 40-vjeç, ndërsa sot po”.

Paçka se Europa flet e shqetësuar për azilantët, shqiptarët vijojnë të largohen drejt vende të BE-së. Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra e Mbrojtjes Europiane për Azilantët, në muajin shtator aplikimet për azil për herë të parë nga shqiptarët ka njohur rritje. Gjatë periudhës janar-shtator, numri i tyre u rrit me 21% në krahasim me një vit më parë.

Në total për 9 muajt e parë të këtij viti, kanë aplikuar për herë të parë edhe 15,469 shqiptarë të tjerë, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë numri i aplikimeve ishte 12,835. Vetëm muaji shtator ka pasur 1,734 aplikime të reja, duke shënuar një rritje prej 14% në raport me muajin e kaluar. Shqipëria renditet në 10 vendet kryesore të origjinës së azilkërkuesve në Europë, së bashku me vende si Pakistani, Turqia, Iraku, Kolumbia, Irani dhe Nigeria por vendi i vetëm europian.

SHKARKO APP