Shqiptarët në Izrael dhe Gaza, ambasada në Tel Aviv flet për situatën: Nuk ka viktima apo të plagosur

Përplasja që po shkakton viktima çdo ditë mes Izraelit dhe Palestinës, ka shtuar pikëpyetjet edhe për situatën e shqiptarëve në këto vende. Ambasada shqiptare në Tel Aviv, ka treguar për gjendjen aktuale të shqiptarëve në Izrael e Gaza, duke bërë të ditur se deri tani nuk ka asnjë informacion për persona të lënduar nga konflikti që u ka marrë jetën mbi 200 personave. Ambasada thekson se është në ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe në kontakte të ngushta me komunitetin shqiptaro-hebre në Izrael. ”Ambasada është në kontakte të ngushta me komunitetin shqiptaro-hebre në Izrael, duke u qëndruar pranë në këto kohë konflikti të përshkallëzuar dhe u ka bërë thirrje atyre të ndjekin rregullat e sigurisë sipas protokollit të sigurisë civile të shtetit të Izraelit, duke publikuar në rrjetet sociale informacionet përkatëse për situatën në vend”,-thuhet në reagimin e ambasadës.

Reagimi i ambasadës për ”A2cnn”

Situata në Izrael dhe Gaza, siç e ndiqni gjerësisht në të gjitha mediat botërore është në përshkallëzim e sipër, pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për ulje tensionesh dhe qetësim të situatës. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit mbi 60 raketa janë lëshuar nga Rripi i Gazës, nga Hamas dhe Jihadi Islamik, në drejtim të qyteteve jugore dhe qendrore të Izraelit.

Forcat e Ushtrisë Izraelite/IDF, nga toka dhe nga ajri janë kundërpërgjigjur me sulme të ashpra duke shkaktuar gjatë 24 orëve të fundit mbi 40 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur. Në fokus të tyre kanë qenë vendstrehimet e udhëheqjes së Hamas dhe Jihadit Islamik, depot e armatimeve, etj. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë bëri të ditur se në kuadër të operacionit “Guardian of the Ëalls”, ushtria izraelite ka shënjestruar mbi 1000 objektiva të Hamas dhe Jihadid Islami.

Dje, Këshilli i Sigurisë së Izraelit deklaroi se do të vijojë operacionet ushtarake në Gaza deri në shfarosjen e bazave të raketave dhe komandove terroriste të Hamas dhe Jihadit Islamist. Po kështu, Kryeministri Netanyahu konfirmoi një gjë të tillë dhe theksoi se operacionet në kuadër të sigurisë së Izraelit do të marrin kohë, derisa të vendoset siguria e plotë mbi shtetin Izraelit. Vijojnë takimet ndërkombëtare dhe aktoreve rajonale për de-eskalim, ku nënvizohet vizita e Asistentit te Sekretarit Amerikan të Shtetit Hady Amr dhe takimet e tij me zyrtare izraelite dhe te Autoritetit Palestinës si dhe udhëheqës rajonalë arabe.

Në lidhje me qytetarë shqiptarë në territoret palestineze në Bregun Perëndimor si dhe në Gaza, nuk kemi njoftime për të plagosur apo humbje jete. Ambasada është në kontakte të ngushta me komunitetin shqiptaro-hebre në Izrael, duke u qëndruar pranë në këto kohë konflikti të përshkallëzuar dhe u ka bërë thirrje atyre të ndjekin rregullat e sigurisë sipas protokollit të sigurisë civile të shtetit të Izraelit, duke publikuar në rrjetet sociale informacionet përkatëse për situatën në vend.

Jemi në kontakte me studentët shqiptarë në Izrael, të cilët ndodhen në kolegje apo universitete duke i udhëzuar të ndalojnë lëvizjet në jug dhe qendër të Izraelit dhe të ndjekin protokollet e sigurisë, qëndrim në strehimet e tyre në vendndodhjet ku ndodhen. Qytetarët janë njoftuar për bllokimin e fluturimeve në Aeroportin Ben Gurion në Tel Aviv, pas njoftimit të Autoritetit civil të Aeroportit për ndalimin e të gjitha fluturimeve hyrëse në Izrael, si dhe funksionimin vetëm në numër të kufizuar të fluturimeve dalëse.

Autoritetet izraelite mund të vendosin në çdo moment shtyrjen e fluturimeve dalëse apo ndryshimin e itinerarit të tyre. Ambasada e Shqipërisë në Ramat Gan/Tel Aviv, si gjithë trupi diplomatik, ndjek me vëmendje situatën dhe vijon punën në respekt të rregullave dhe protokolleve të sigurisë në Izrael.

SHKARKO APP