Shqiptarët në spitalin e Brescias, infermieri: Ja çfarë më panë sytë
Jehona e 30 mjekëve shqiptarë në Itali, është më e madhe sesa bilanci tragjik i viktimave atje. Almarin Domi, një prej 20 infermierëve, thotë se pritja ka qenë shumë e mirë dhe kanë patur një përkrahje të madhe. Nga ana tjetër ai thekson se nuk ka pasur asnjë lloj hezitimi rreth faktit se nëse duhej të jepte kontributin e tij apo jo në Itali.
”Jemi ndjerë shumë mirë. Përkrahja ka qenë diçka e jashtëzakonshme. Përsa më përket mua, unë falenderoj ata që më dhanë mundësi të ndihmojmë. Unë kam jetuar për 15 vite më herët në Itali, kështu që e ndjeja edhe më shumë ta bëja. Nuk pata asnjë lloj hezitimi që të ndihmoja. Nuk hezituam aspak për të bërë një gjë të tillë”,-tha në Report Tv.
I pyetur nëse ka patur ndonjë lloj hezitimi se midis kujt duhej të zgjidhte Shqipërisë apo Italisë, ai thotë se absolutisht jo. ”Nuk është çështje hezitimi. Unë jam infermier urgjence. Punoj tek urgjenca e kirurgjisë. Me këtë rast përshëndes edhe kolegët e mi. Ne jemi mësuar me një punë të tillë, nuk na trembi një situatë e tillë”.
Në fund Domi ka edhe një mesazh për shqiptarët, kryesisht për të gjithë ata që e kanë marrë më ‘lehtë’ këtë situatë. ”Duhet ta marrin më shumë seç duhet seriozisht. Situata është shumë e komplikmuar. Në Lombardi ku do të punojmë ne ka shumë raste. Vetëm në spitalin ku ne do të japim shërbim ka 670 raste. Personat duhet të ndërgjegjësohen. Vetëm distancimi social është ajo që mund të bëjë diferencën”.