Shqiptarët po dynden drejt azilit

Nga: Redjon Shtylla

Shqiptarët e duan azilin më shumë se çdo vend tjetër, dhe kërkesat e tyre nuk kanë të ndalur. Me gjithë thirrjet e herëpashershme dhe deklarata që shtetasit shqiptarë nuk mund të fitojnë azil në vendet e BE-së, këta të fundit nuk dorëzohen.

Ministria e Brendshme në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare të Migracionit dhe prefekturën e Kukësit, organizuan një takim informues për parandalimin e emigracionit të parregullt. Në tremujorin e tretë të 2021 në Francë janë regjistruar 5800 kërkesa për azil nga shqiptarët, prej të cilëve 3300 ishin të rinj. Këto shifra janë më të larta se e njëjta periudhë e vitit 2020.

Një prej mënyrave për të shmangur këtë fenomen, ishte thirrja që të rinjtë të mos largohen si të mundin nga vendi, por të arsimohen ose të ndjekin kurset kualifikuese, në mënyrë që të jenë të përgatitur dhe të kenë dëshmi të profesioneve për një punësim të sigurt në vendet e BE-së.

Nëse flasim me shifra, në këto 9 vitet kanë emigruar mbi 500 mijë qytetarë, ku “ikja e trurit të të rinjve” na rendit të parët në Europë. 65% e vajzave ndihen të dhunuara, 62% e të rinjve nuk besojnë tek partitë politike dhe 57% e vlersojnë me zero pikë pushtetin lokal.

Shqipëria zë vendin e 7 mes 10 kombësive në botë që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian në shtator të vitit 2021. E trishtë, por treguese që pas 31 vitesh, politika nuk arriti ta bënte Shqipërinë që kishin ëndërruar rinia që shembi dhe rrëzoi bustin e diktatorin Hoxha, që hoqën murin që prej 40 vitesh e kishte futur vendin në një guackë të padepërtueshme.

Nëse para 31 vitesh u rrëzua muri i diktaturës, sot është koha që hapim kafazin në të cilin politika e ka futur rininë dhe bllokon lirinë e tyre për të marrë në dorë Shqipërinë.

SHKARKO APP