Shqiptarët punojnë 8 orë më shumë se europianët, eksperti: Duhet ndryshuar qasja
Sipas një raporti të fundit, në Shqipëri punohet mesatarisht rreth 44 orë në javë, gati 8 orë më shumë sesa në vendet e BE-së. Shqipëria renditet kështu i dyti në Europë pas Turqisë për orët më të gjata të punonjësve në punë.
“Shqipëria është një vend ku punonjësi vlerësohet për nga orët e gjata të punës. Një punonjës sot duhet të vlerësohet në bazë të produktivitetit. Produktiviteti është rritur nëse punojnë më pak”, thotë eksperti Erion Muça.
Orët më të pakta të punës në Shqipëri i kanë punonjësit e administrimit publik apo shërbimeve sociale me 40 orë në javë. Nismën më të fundit për orare fleksibël në shtet, eksperti i punësimit e sheh si pozitive.
“Është një model interesant, duhet të shërbejë dhe të përqafohet edhe nga sipërmarrja private, të tregojë dhe të jetë shembull i standardizimit dhe modernizimit që duhet të ketë një sipërmarrje duke qenë i ndjeshëm ndaj rëndësisë që ka punonjësi”.