Shqiptarët “vrapojnë” të sigurojnë pronat, AMF: Arkëtimet për sigurimin nga zjarri dhe forcat e natyrës u rritën 126%

Tërmeti i 26 nëntorit i ka nxitur shqiptarët të vrapojnë të sigurojnë pronat nga fatkeqësitë e natyrës. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare raporton se në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë janarit 2021, vihet re një rritje prej 126.21% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 1.74% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me janarin 2020.

Rritje për muajin e parë të këtij viti ka shënuar gjithë portofoli I sigurimit të pronave. AMF zbardh në raportin e sapopublikuar se sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë janar 2021, patën rritje me 43.12% kundrejt janar 2020.

Në portofolat e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë janarit 2021 siguruan mbi 408 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 77.06%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 15.41% të totalit.

Ndërkaq, pagesat e dëmeve gjatë janarit 2021 u ulën me 28.07% krahasuar me janarin 2020. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 302 milionë lekë, apo 55.97% të totalit të dëmeve të paguara bruto./ SCAN

SHKARKO APP