Shqiptari Alfred Mirashi-Milot dhe çelësi gjigant i Monteverginës, triumfojnë pas një beteje 6-vjeçare me burokracinë italiane

Nga Albert Vataj

Media italiane ka trajtuar gjerësisht, përmes një materiali të Rosaria Carifano, Odisenë e gjatë të punës së artistit shqiptaro-italian, Alfred Mirashi – Milot. “I duruari, i fituari” thotë një proverb i vendlindjes së skulptorit me famë botërore, dhe në këtë rast, proverbi merr formë konkrete. Për gati gjashtë vite, Milot nuk luftoi vetëm me vështirësitë burokratike dhe pengesat institucionale, por edhe me peshën e kohës që shpesh i vë në provë krijuesit. Ai e mbajti të gjallë vizionin e tij artistik, duke e ushqyer me bindjen se arti, kur është i vërtetë, nuk njeh dorëzim.
Pas shumë kthesash dhe bllokimesh, nga miratimet fillestare, te ndalimi i papritur nga autoritetet për shkak të vlerësimeve mbi ndikimin në peizazh, e deri tek humbja e shpresës që vepra të shihte dritën, “Çelësi i Monteverginës” gjen më në fund strehën e tij në Monteverde. Kjo nuk është thjesht historia e vendosjes së një skulpture; është rrëfimi i një qëndrese krijuese, i një marrëdhënieje të thellë mes artistit dhe tokës që e pranoi kur ai erdhi si refugjat në vitet ’90, e ndihmoi të formohej në Akademinë prestigjioze të Arteve të Bukura të Brerës, dhe që tani kthehet të pranojë dhuratën e tij monumentale.
Monteverde, një nga fshatrat më të bukur të Italisë dhe “porta lindore” e Irpinisë, do të mirëpresë skulpturën më të madhe të përhershme në çelik në Evropë. Vepra e Milotit, me formën e saj të përdredhur që nuk mund të mbyllë asnjë derë, bart një mesazh të qartë universalisht: asnjë pengesë nuk duhet të jetë absolute, dhe çdo portë duhet të mbetet e hapur ndaj përfshirjes dhe shpresës.
Miloti e sheh këtë moment si një fitore të dyfishtë: të artit mbi burokracinë dhe të durimit mbi pengesat. “Jam i lumtur që do ta shoh më në fund të realizuar veprën time dhe që Monteverde, një vend i mrekullueshëm, ka dashur çelësin tim,” ka thënë ai. Dhe në këtë fjalë, lexohen jo vetëm emocionet e një artisti që sheh ëndrrën e tij të marrë formë, por edhe krenaria e një krijuesi që e di se çdo goditje çekiçi mbi çelikun ishte edhe një goditje mbi murin e mosbesimit.
Në fund të fundit, kjo është një histori që flet për çdo artist: sfida nuk është vetëm të krijosh diçka të bukur, por të ruash gjallë vizionin e saj kur rrethana të jashtme e vënë në pikëpyetje ekzistencën e saj. “Çelësi i Monteverginës” nuk është vetëm një vepër arti; është një metaforë e qëndresës krijuese, një kujtesë se përtej formës, linjës dhe materialit, qëndron vullneti i pandalshëm i njeriut për të hapur horizonte të reja, edhe kur dera duket e mbyllur përgjithmonë.
Dhe ka qenë, Kryetari i Monteverde, Antonio Vella, ai që mori përsipër të vendoset vepra gjigande.

https://www.orticalab.it/Monteverde-accoglie-la-Chiave-di-Milot-la-piu-grande-scultura-d-acciaio-d-Europa-trova-finalmente-casa-Alfred-Mirashi-provincia-Avellino-Key-of-Montevergine

Swiss Digital Desktop Reklama

Shkrimi i Rosaria Carifano
Pas gati gjashtë vitesh, Çelësi i Monteverxhinës mund të ketë më në fund shtëpinë e tij. Duke pasur parasysh rrugëtimin e vështirë të kësaj çështjeje, lejojmë vetes të përdorim kushtoren, për hir të bestytnisë. Por, nëse gjithçka do të ecë sipas planeve, do të jetë Monteverde që do të mirëpresë skulpturën më të madhe të përhershme në çelik në Europë, ideuar nga artisti shqiptar Alfred Mirashi, i njohur si Milot, dhe dhuruar Irpinisë, e cila e priti dhe e ndihmoi në vitet e vështira për të.
Vendimi Presidencial i Provincës së Avellinos, nr. 142, datë 05/08/2025, shënon miratimin e skemës së marrëveshjes për instalimin, ndërmjet institucionit të Irpinisë, porositës i veprës nën drejtimin e Domenico Biancardit, në kuadër të punimeve për realizimin e Polos Enologjik të Qytetit të Abellinum dhe të Ultësirës së Poshtme të Luginës së Sabatos, si një vepër arti sipas ligjit 717/1949 – dhe bashkisë së Irpinisë Lindore.
Pozicioni gjeografik ka qenë vendimtar për këtë zgjedhje, pasi skulptura ka një vlerë të fortë simbolike. Siç thuhet në vendim, zgjedhja e vendit të Monteverdes e identifikon atë si «porta lindore e Irpinisë, hyrja në tokën tonë, ku të gjithë mund të hyjnë, ta vizitojnë dhe ta vlerësojnë, dhe të procedohet me instalimin e “Çelësit të Milotit” në territorin komunal».
Objekti i çelësit është bërë shenja dalluese e Alfred Mirashit, e mbartës i një mesazhi universal: çelësat e tij janë të përdredhur, pra, në fakt, të papërdorshëm. Nuk mund të mbyllin asnjë derë. Në mënyrë metaforike, skulpturat e Milotit janë një mesazh përfshirjeje dhe shprese, dhe Çelësi i Monteverxhinës, i harkuar si një djep për të përfaqësuar mikpritjen e Mesdheut, ishte menduar të vendosej në rrethrrotullimin e madh të Mercoglianos, pranë daljes së autostradës Avellino Ovest: “porta hyrëse dhe lidhja me botën” e tokës sonë, nën vështrimin dashamirës të Mamma Schiavona.
Ndërsa kantieri ishte tashmë në punë, pas disa vonesave të shkaktuara nga pandemia, në dhjetor 2021 u bë publik një raport i nënshkruar nga Drejtoria e Përgjithshme për Arkeologjinë, Artet e Bukura dhe Peizazhin e Avellinos dhe Salernos, që e refuzoi projektin dhe e ndaloi punën, sepse sipas saj, vepra monumentale “nuk dialogon, por ndërhyn dhe mbizotëron mbi peizazhin që e pret dhe e rrethon”.
Që nga ai moment, gjithçka dukej sikur ishte harruar. Milot vazhdoi të ekspozonte në mbarë botën – në vjeshtën e ardhshme pritet me një ekspozitë personale në Guangdong Museum of Art në Guangzhou, Kinë Jugore – dhe të merrte çmime e duartrokitje për punën e tij. Por pikërisht toka që e kishte pritur kur erdhi si refugjat në vitet ’90, duke e ndihmuar të studionte në prestigjiozen Akademi të Arteve të Bukura të Breras, prej nga nisi karriera e tij e ndritshme, dukej se nuk donte më të dinte për dhuratën e tij.

Swiss Digital Mobile Reklama

Për një periudhë të shkurtër, siç kujtohet edhe në vendim, u fol për instalimin e veprës «pranë nyjës Montoro Nord të lidhjes autostradore Salerno – Avellino», por inspektimet zbuluan papërshtatshmërinë e zonës.
Më në fund, duket se është marrë vendimi përfundimtar me Monteverden, me një fond prej rreth 90.000 eurosh të siguruar nga kapitulli 1086 në misionin 01, programi 05, për të mundësuar instalimin dhe rregullimin e zonave përkatëse. «Lajmi më mbushi zemrën me gëzim – deklaroi Milot – Së pari sepse kështu do ta shoh më në fund veprën e realizuar. Dhe pastaj sepse Monteverde është një vend i mrekullueshëm, jo më kot është një nga fshatrat më të bukur të Italisë. Jam i lumtur që administrata e ka dashur çelësin tim. Tani pres operativitetin dhe thirrjen. Inspektimi për vendndodhjen, mënyra e instalimit, përbërja – duhet të më përfshijnë. Emri i skulpturës nuk do të ndryshojë, sepse është ndërtuar duke u frymëzuar nga forma e dorezës me tre harkadat e Abacisë së Monteverxhinës. Por kapaku kujton siluetën e një kalaje, sepse çdo fshat i Irpinisë ka një të tillë, dhe e di që ai i Monteverdes është i mrekullueshëm».
«Një vepër e dedikuar hapjes, përfshirjes, nuk mund të gjente vend më të përshtatshëm se këtu. Monteverde është përkufizimi i fshatit të mikpritjes – komentoi kryebashkiaku Antonio Vella – Gjeografikisht, sepse jemi hyrja në Irpini nga Pulia dhe Bazilikata, dhe simbolikisht, për vlerat që promovon. Prania e skulpturës, përveç bukurisë së saj, do të jetë një mesazh që, duke nisur nga ne, do të kalojë kufijtë. Nuk mund të jemi veçse mirënjohës ndaj kujtdo që e ka bërë të mundur këtë».
Nisma erdhi nga vetë administrata e Monteverdes: «E pamë si një mundësi për të qenë ne vendi i zgjedhur për instalimin, duke përfaqësuar kërkesat e komunitetit tonë, dhe u ofruam. Provinca e mirëpriti menjëherë këtë vullnet».
Kryebashkiaku shpreson që punimet të fillojnë sa më shpejt, sepse ka një dëshirë: «Të inaugurojmë skulpturën më 12 tetor. Me atë rast Monteverde do të presë Alzheimer Fest 2025, një aktivitet kombëtar për ndërgjegjësimin mbi këtë temë. Ai përfshin 14 ndalesa në të gjithë Italinë, po aq sa janë shenjat e sëmundjes, dhe e vetmja ndalesë në Kampania do të zhvillohet këtu. Do të jetë një rast për të folur për solidaritetin dhe përfshirjen. Në kohë të errëta si këto, janë këto vlera që duhet të frymëzojnë veçanërisht zonat e brendshme».
Për Vellën, arti në një vend nuk do të thotë thjesht vendosje e një vepre, «por duhet të përfshihet në një vizion që e ka kulturën dhe bukurinë si pikë referimi. Sigurisht, mikpritja e skulpturës më të lartë në çelik në Europë na bën krenarë dhe cor-ten-i, materiali nga i cili është ndërtuar, i shton edhe më shumë hijeshi». Ky lloj metali, në fakt, me kalimin e kohës merr një ngjyrë të kuqërremtë dhe një teksturë “vintage”: jo vetëm që nuk ka nevojë për mirëmbajtje për lustër, por i jep edhe një kuptim shtesë simbolik, pasi e bën objektin të duket si i ndryshkur, pra edhe më i papërdorshëm.
Tani nuk mbetet gjë tjetër veçse të pritet inaugurimi. Mund të mendohet për përfshirjen e personaliteteve të njohura ndërkombëtare të botës së artit, duke pasur parasysh famën e artistit: «Por preferoj të bëj një hap në një kohë – përfundoi Milot – për momentin gëzohem me këtë lajm të bukur dhe pres realizimin. Pastaj do të shihet».
[Foto nga Michele Stanzione]

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?