Shqiptari bën aktin heroik në Itali: Shpëton një nënë dhe të bijën nga zjarri

Nertil Qato, një shqiptar me banim në Itali u kthye në hero pasi shpëtoi një grua dhe të bijën e saj nga zjarri. Një shpërthim e zgjoi nga gjumi dhe pasi doli jashtë, Qato vuri re një banesë të shpërthyer në flakë prej gazit në kuzhinë.

Pasi dëgjoi thirrjet për ndihmë, 31-vjeçari shqiptar s’u mendua gjatë. Me ndihmën e një shkalle që e mbante në furgon, Qato u ngjit në katin e dytë, aty ku ndodhej banesa në flakë.

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Dëgjova një shpërthim dhe dola jashtë. Pashë banesën që ishte shembur pjesërisht, flakë e tym i zi. Dëgjova një thirrje për ndihmë dhe nxitova. Vendosa shkallën dhe u ngjita në katin e dytë. Nuk dukej gjë prej tymit të zi, por dëgjova zërin e një vajze. E mora në krahë dhe e zbrita poshtë. Më pas dhe nënën e saj. U ngjita dhe një herë tjetër për t’u siguruar që nuk kisha lënë njeri pas,” tha Qato sipas Newsbomb.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kryebashkiaku i Livornos e dekoroi me një çmim special 31-vjeçarin shqiptar dhe i premtoi procedurë të përshpejtuar për marrjen e lejes së qëndrimit.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Veprime të tilla duhet të vlerësohen. Ne kemi antitrupa që na ndihmojnë të mos influencohemi nga ata që thonë se emigrantët janë të ligj,” tha Filippo Nogarin, Kryebashkiaku i Livornos. “Nertili ndodhet këtu prej gjashtë vitesh. Është njeri punëtor dhe ende nuk ka marrë nënshtetësinë sepse ligjet parashikojnë të paktën dhjetë vite leje qëndrimi. Më kujtohet veprimi i presidentit francez, që vendosi t’i japë nënshtetësinë një qytetari nga Mali, pasi shpëtoi një fëmijë. Do të doja të bëja diçka të ngjashme.”

Ndërsa Nertil Qato u shpreh i prekur rreth ndodhisë: “Jam i lumtur për to. Jam i lumtur që i shpëtova. Nuk do ta harroj kurrë atë përqafim. Nuk dua asgjë. Më mjaftoi falenderimi.”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?