Shqiptari i vë djalit emrin e dronit – “Autochthonous”

Frrok Bardhi nuk e kishte menduar kurrë se ngjarjet e ndeshjes Serbi­-Shqipëri, e luajtur vetëm 41 minuta më 14 tetor 2014, në stadiumin e Partizanit të Beogradit, do të përcaktonin emrin e fëmijës së tij, që ende nuk kishte lindur.

“Asokohe, nusja ka qenë dy muajshe shtatzënë. Që në atë moment e kisha ndarë mendjen dhe e kisha vendosur që do t’i vija këtë emër djalit tim”, – thotë Frroku.

Emocionet e 14 tetorit 2014 i përjeton ende në të njëjtën mënyrë, e sërish nuk mungojnë lotët.

“Çdo shqiptar në botë, atë natë është bërë me zemër. Çdo shqiptar, që është me të vërtetë patriot. Ai është flamuri më i bukur në botë”, – tregon më tej me emocione ai.

Frrok Bardhi, ndjenjën e atdhedashurisë duket se e ka të trashëguar ndër breza në familje. Gjyshi i tij ishte pjesë e luftës italo­-greke dhe e ka rritur me historitë, sesi është dëbuar me dhunë popullsia shqiptare e Çamërisë nga trojet etnike.

Por ideja që djalin e tij të dytë ta quajë “Autochthonous” i ka hapur jo pak probleme edhe në Gjendjen Civile.

“Në fakt unë ia kam vënë këtë emër për qejfin tim. Kam pasur shumë probleme për t’ia vënë këtë emër, sepse nuk po pranonin punonjësit e Gjendjes Civile dhe kishte frikë se mos do t’i fliste dikush, apo do ta kritikonte. Mesa di unë, është interesuar deri edhe te drejtori i Përgjithshëm i Post­-Telekomunikacionit, sepse nga ajo varen drejtoritë e Gjendjes Civile. Më pas u bind dhe ia regjistroi emrin ashtu siç doja unë”, – thotë i ati në një rrëfim për mediat.

Kurse Etleva, bashkëshortja e Frrokut, kishte menduar tjetër emër.

“Unë kisha dëshirë t’ia vija emrin Alean. E lexova në internet dhe kishte kuptimin e dhuratës nga Zoti. Frroku nuk donte të ma prishte qejfin, por kur lindi djali më tha se atij i pëlqente emri “Autochthonous”. U habita për pak, por e pashë që e kishte me shumë qejf dhe pranova. I thashë ta gëzonte këtë emër”, – kujton e ëma.

Në shtëpinë e Frrokut, që në hyrje të shoqërojnë simbolet kombëtare. Në ambientet e brendshme mban të ekspozuar më shumë se 400 objekte me mesazhe patriotike. Për të nuk ka qenë aspak e vështirë të përballet edhe me reagimet e ndryshme, përse vendosi këtë emër për të birin

“Të them të drejtën e kanë pritur në mënyra të ndryshme dhe nga më të habitshmet. Ka pasur njerëz që ma njohin shpirtin dhe karakterin. Këta e kanë pritur me shumë gëzim e dashamirësi; por ka pasur edhe njerëz që më kanë provokuar në punë, në lagje apo në shoqëri, – rrëfen më tej Frroku, – unë do ta rris në frymën patriotike, për flamurin, kombin dhe atdheun. Ndaj besoj se ai do të jetë shumë krenar për këtë emër”.

 

SHKARKO APP