Shqiptaro-australiania merr certifikatën ”Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”. Eva Buzo mesazh për gratë: Rrisni besimin dhe pranoni sfidat
Sportistja me origjinë shqiptare Eva Buzo, me profesion avokate këtë të mërkurë është pritur nga kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ku i është dorëzuar certifikata ”Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”. Në ambientet e bashkisë ka qenë dhe presidenti i shoqatës së notit Agim Çiraku, ku i është dorëzuar dhe kupa nga shoqata Shqiptare e Notit ”Mirënjohje për Eva Buzon”. Dredha ka falenderuar Eva Buzon për atë që ajo ka arritur duke vendosur një rekord absolut duke lidhur dy brigjet Itali-Shqipëri me not.
”Po ashtu jemi shumë krenar dhe ne që kemi qenë pjesë e këtij udhëtimi duke dhënë asistencën tonë, por dhe duke promovuar vlerat që ka qyteti i Vlorës”. Ai ka falenderuar dhe shoqëruesit e Evës përgjatë gjithë udhëtimit, që nga Baçi dhe Viktori, peshkatarët që i kanë qëndruar pranë. Po ashtu shkëmbi ku Eva preku në Karaburun do të pagëzohet ”Shkëmbi Eva”.
Mes emocioneve, Eva është shprehur se i shpreh mirënjohje Bashkisë së Vlorës. ”Sot dua të flas me zërin e gjithë vajzave që merren me sport. Kam kujtime të fëmijërisë kur gjyshi im vinte në çdo aktivitet sportiv, ku unë merrja pjesë dhe plot krenari i tregoja medaljet që merrja që fëmijë.
Pikërisht këto medalje më rritën kofidencën, jo vetëm në fushën e sportit, por dhe atë profesionale. Arritjet e mia sot janë rezultat i punës së madhe që kam bërë që në moshë të herët me veten. Sot jam një femër e fortë, që pëlqej sfidat dhe u them të gjithë femrave ”forconi konfidencën, rrisni besimin dhe pranoni sfidat””, u shpreh Buzo.