Shtator, rinis Vetting-u – Seancat e para në Kolegjin e Apelimit më datë 10 dhe 12

Pas pauzës nga 6 gushti, data 10 shtator do të jetë dita e parë e rikthimit në sallat e gjyqeve të Komisionerëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.  Kolegji ka bërë publike dy seancat me të cilat do të nisë “sezoni”  i ri i punës për këtë organ të Vetting-ut.  Më datë 10 Kolegji do marrë në shqyrtim ankimimin e Komisionerit Publik për ndërprerjen e Vetting-ut për anëtaren e Gjykatës së Lartë Mirela Fana, e cila u dorëhoq nga detyra.  Më datë 12 shtator Kolegji do të gjykojë në dhomë Këshillimi ankimi i Prokurores së Shkodrës Besa Nikëhasani, e cila kërkon rrëzimin e vendimit për shkarkimin nga detyra nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Kolegji pritet të shtojë ritmet e punës nga shtatori, duke qenë se thuajse të gjithë gjyqtarët e prokurorët e shkarkuar kanë ankimuar pranë tij vendimet e Komisionit të Kualifikimit për ndërprerjen e karrierës.  Ndërkohë që një volum i shtuar pune për Kolegjin janë edhe ankimimet e Komisionerit Publik, i cili ka kërkuar rrëzimin e vendimit për konfirmimin në detyrë për disa prej gjyqtarëve e prokurorëve që e kanë kaluar Vetting-un, siç janë rastet e Bashkim Dedjas, Xhezair Zaganjorit, Edmond Islamajt apo Alma Bratit.

Ditët e para të shtatorit pritet të rinisë puna edhe për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili është në përfundim të rivlerësimit të listës me 57 gjyqtarë e prokurorë që ju nënshtruan me përparësi Vetting-ut si kandidatë për Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo Prokurorisë.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?