Shtatzania në kohën e pandemisë, këshillat e mjekut për nënat e reja dhe të porsalindurit
Situata e rëndë e Covid-19, ngre probleme dhe shqetësime për shëndetin e qytetarëve në përgjithësi, por në veçanti kujdesi kërkohet tek nënat shtatëzana dhe ato me bebe të porsalindura. Specialisti obsetër-gjinekolog, Dr. Blenard Nonaj, në një intervistë për gazetën ”Telegraf”, u jep përgjigje pyetjeve në lidhje me Covid-19, sa ndikon ky virus tek nënat shtatëzana dhe bebet e porsalindura, mbrojtja dhe këshillat për nënat dhe familjarët, dallimi nga viroza e stinës dhe si të bëjmë dallimet etj.
Dr.Blenardi, ju keni një përvojë të madhe si mjek. Aktualisht jemi në stinën e dimrit, dhe virozat e kanë shumë më të lehtë të përhapen. Cila është këshilla juaj për nënat shtatzëna, fëmijët e porsalindur dhe të vegjël?!
Sistemi imunitar i një gruaje shtatzanë është më i prekshëm nga agjentët e jashtëm stinorë për shkak të një serie ndryshimesh natyrore në trupin e saj. Ndërlikimet e lidhura me stinët, që mund të prekin një grua shtatzanë, por edhe një fëmijë të sapolindur që sapo ka filluar të ndërtojë sistemin imunitar nëpërmjet nënës, shkojnë nga gjendjet parainfluencale deri virozat e rrugëve ajrore. Simptomat shkojnë nga bllokimi i hundëve dhe sekrecionet, teshtima, ethe, dhimbje, këputje deri në temperaturë të përzgjatur të shoqëruar me diarre dhe të vjella (shqetësime gastrointestinale), mungesë urie. Masat e disponueshme për të parandaluar përhapjen fillojnë nga një limitim i lëvizjeve e panevojshme dhe një stili jete më të kujdeshëm deri tek vaksinat anti grip. Këto duhen shoqëruar me një regjim ushqimor të shëndetshëm për të ndërtuar një strukture sistemi imunitar të fortë për nënën por edhe një trashëgimi mbrojtëse edhe për fëmijën që do të vijë. Në këtë drejtim ne këshillojmë edhe marrjen e integratorëve ushqimorë por gjithmonë nën monitorimin e një mjeku specialist për formën edhe sasinë e duhur.
Covid -19, është ndoshta në pikun e tij. Si mund të mbrohen nënat shtatzëna dhe cilat janë rekomandimet për këtë situatë.
Këshillat për parandalimin e Covid-19 janë të njëjtat që vlejnë edhe për popullatën e gjerë por edhe me një vlerë të shtuar në rastin e një shtatzanie në vijim. Kjo sepse ashtu si edhe e përmendëm më lart, ky është një virus i cili ka një impakt të fortë më së shumti tek personat me një problem në vulnerabilitetin e sistemit imunitar. Gjithashtu duhet përmendur që pavarësisht studimeve në të gjithë botën, kërkohet më shumë kohë për të përcaktuar linja udhëzuese më efikase në lidhje me rastet pozitive në shtatëzani.
Dr. Blenardi! A rekomandohet shtatzania në këtë situatë dhe për nënat që janë shtatzana, çfarë këshillash keni, si në drejtim të kontrollit mjekësor, analizave, dietës, ushqimit etj?
Shtatzania është proces natyror që nuk është ndaluar anjëherë në asnjë moment të vështirë të evolucionit. Kjo normalisht është një sprovë për njerëzimin, por nuk përbën një rrezik për vijimësinë e jetës normale. Prania e subjekteve pozitivë të virusit SARS-CoV-2 është dokumentuar si në popullatën e përgjithshme, ashtu edhe në gratë shtatzëna, shumë prej të cilave zakonisht kanë simptoma të lehta ose të moderuara. Në rastin e një shtatzanie me rrezik të ulët, rekomandohet të bëhen vizita dhe kontrolle më të shpeshta para lindjes duke pasur kujdes që të përfshihen sa më pak profesionistë të jetë e mundur. Në rastet më të komplikuara kërkohen konsulenca multidisiplinore për të krijuar një kornizë klinike më të plotë, si për nënën, edhe për zhvillimin e fëmijës. Duhet theksuar që deri më sot nuk ka prova të mjaftueshme shkencore për të dalë në përfundimin që Covid-19 në vetvete të paraqesë një rrezik për nënën ashtu si edhe për zhvillimin normal të fetusit.
Sipas informacioneve dhe studimeve mjekësore, a mendoni se Covid -19 ndikon tek nënat që kanë sëmundje shoqëruese. Cili është kujdesi në këto raste?
Megjithëse me prova të rralla, transemtimi vertikal i virusit është i mundshëm dhe gratë shtatzëna nuk duket se janë në rrezik më të madh se gratë jo shtatzëna për infeksion të rëndë ndaj COVID-19 që kërkon shtrimin në spital. Megjithëse aktualisht nuk ka prova të një lidhjeje të drejtë për drejtë midis COVID-19 dhe rrezikut të moszhvillimit të fetusit, rekomandohet të kryhet një kontroll me ultratinguj 14 ditë pasi sëmundja është diagnostikuar në shtatzani. Gjithashtu mund të thuhet se nuk ka akoma prova për një rritje të mundësisë për abort në prezencë të infeksionit me Covid-19, megjithëse ka një rritje të numrave të rasteve që lidhin këtë patologji me lindjen pretermine. Duhet të theksojmë këtu, që duhet bërë një dallim mes lindjes spontane dhe asaj që i atribuohet shkaqeve si induktimi i lindjes ose cezariane e kryer në rast të pamjaftueshmërisë së frymëmarrjes së nënës. Në rast të një infeksioni të dyshuar ose të sigurt, një ekip multidisiplinar duhet të lajmërohet për ndihmë ndaj gruas, përfshirë gjinekologun, anestezist-reanimatorin, obstetër, neonatolog, infermier pediatrik dhe specialist infektiv. Mënyra e lindjes nuk duhet të ndikohet nga prania e COVID-19, përveç nëse kushtet e frymëmarrjes së gruas kërkojnë që ajo të lindë urgjentisht.
Sipas OBSH, që operacionet cesariane të paraqesin një përmirësim subjektiv të rezultateve të lindjeve në terma cilësorë në popullsinë e një vendi, nuk duhet të kalojnë 15% të totalit të lindjeve.
Mbi këtë nivel çdo gjë influencohet nga situata socio-ekonomike e pacientëve dhe shkon përtej nevojave thjesht mjeksore. Lindja është një process natyral që pavarsisht formës, mund të ndeshet në evente të paparashikuara. Në 10% të lindjeve natyrale ka evente me një komplikacion mesatar që kërkojnë një ndërhyrje me mjete kirurgjikale dhe në 10% të tjera nevojitet të kalohet një cesariane të detyrueshme për shkak të komplikimeve të rënda. Ne mjekët ndodhemi midis urimit që lindja të vijë sa më natyralisht dhe uljes minimale të riskut për nënën dhe fëmijën. Në këtë mes duhet të kemi një zë kritik dhe së bashku me prindërit të vendosim rrugën më të sigurt dhe që përfshin pjesën më të madhe të skenarëve, bazuar në faktin që një lindje nuk i ngjan një tjetre. Pacienteve të mia ju them që një fëmijë të ndryshon këndvështrimin mbi jetën dhe kjo fillon që në aktin e lindjes.
Me kalimin e viteve është rritur në mënyrë të theksuar numri i çifteve që kanë problem në arritjen e shatzanisë.
Kjo tendecë ka arsye kryesisht ambientale por edhe socio-ekonomike. Të ndodhura përballë një situate të tillë shumë çifte kalojnë probleme që reflektohen edhe në fortësinë e marrëdhënies së vetë çiftit. Ajo që unë këshilloj është, që pas një përpjekeje mbi 6 muaj për ngjizjen e një fëmije, të kontaktohen profesionistët e fushës, gjinekologë dhe andrologë, për një këshillë më të specializuar. Këta të fundit do mund t’ju adresojnë drejt një zgjidhje të mundshme, bazuar në të dhënat klinike të çiftit. Këto zgjidhje shkojnë nga një kurim i thjeshtë farmakologjik dhe kirurgjikal, deri në teknika të riprodhimit të asistuar.