Shtëpitë me kredi të prekura nga tërmeti, Brumbulli: Kushte lehtësuese

Bankat e nivelit të dytë në vend po shohin mundësinë e trajtimit me kushte lehtësues të disa familjeve që janë prekur më shumë nga tërmeti. Shoqata e bankave bën me dije se po diskutohet me për gjetjen e një formati të përgjithshëm. Ndërkohë që sqaron se më të mbrojtur janë ata qytetarë që e kanë të siguruar të plotë ndërtesën.

Familjet që kanë pësuar dëme të mëdha nga tërmeti i 26 nëntorit dhe i kanë banesat me kredi do të trajtohen me kushte lehtësuese nga bankat.

Spiro Brumbulli bën me dije se drejtuesit e institucioneve të nivelit të dytë janë duke diskutuar në lidhje me këtë nismë.

Spiro Brumbulli: Ne si politikë të përgjithshme po mendojmë për kushte lehtësuese për të gjitha rastet që do të vërtetohen. Kjo është një situatë e jashtëzakonshme që ka prekur disa familje, disa klientë të bankës. Me ata që vërtetohet që janë prishur shtëpitë, apo që kanë dëme shumë të mëdhaja, kundrejt atyre mund të ketë sipas diskutimit që do të bëhet në shoqatë mund të ketë një vendimmarrje për të lehtësuar për një periudhë të caktuara ndoshta disa masa.

Qytetarët që e kanë të siguruar plotësisht banesën e blerë me kredi janë të mbrojtur nga shoqëritë e sigurimeve.

Spiro Brumbulli: Ndërsa ai që ka siguruar vlerën e plotë të pasurisë, shoqëria e sigurimit paguan gjithë vlerën, një pjesë e vlerës nëse ka mbetur kredi e papaguar shkon për të shlyer bankën dhe një pjesë tjetër duhet ti shkojë kredimarrësit.

Spiro Brumbulli sqaron edhe rastet kur është siguruar vetëm një pjesë e kredisë së mbetur.

Spiro Brumbulli: Nëse kanë siguruar vetëm pjesën e mbetur të kredisë, shoqëria e sigurimit vetëm do bëjë shlyerjen e detyrimit që ka andaj bankës, por kredimarrësi nuk fiton asgjë tjetër. Thjesht shlyen kredinë dhe shtëpia rezulton e humbur.

Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së bankave u bën apel të gjithë qytetarëve që janë prekur nga tërmeti që ti drejtohen bankave për të marrë një përgjigje konkrete mbi situatën e tyre.

SHKARKO APP