Shteti në alarm.1300 policë dhe dronë për të ruajtur Vucic.

 
Masa të forta sigurie janë marrë nga policia shqiptare për të garantuar vizitën e kryeministrit serb, Aleksandër Vucic. Afro 1100 forca do të angazhohen në Tiranë, ku Vucic do të zhvillojë takimet zyrtare. 220 efektivë të tjerë, përfshirë forcat speciale dhe ato të antiterrorist do të jenë në Durrës, për të garantuar qetësinë e darkës që do të shtrohet për nder të tij në qytetin bregdetar. Duket si një axhendë e ngjashme me atë të kryeministrit Rama në Beograd, vec faktit se Vucic do të pritet edhe nga Presidenti Nishani, ndërsa Rama u refuzua nga presidenti Nikolic. Darka në Durrës i ngjan darkës që u shtrua në Beograd, me ushqime tradicionale e verë të mirë, larg “tensioneve” të shfaqjes së Vucic e Ramës në publik. Një darkë në të cilën këndoi Ministri i Jashtëm, Dacic dhe madje pala shqiptare e bindi palën serbe të nënshkruante edhe një marrëveshje për njohjen e diplomave.  Hapësira e vendeve nga do të kalojë e ku do të ndalet kryeministri Vucic do të monitorohet edhe nga ajri, me helikopterë e dronë të policisë.
 
Policia e shtetit dha këto detaje përsa u përket masave të sigurisë:
Drejtoria e Policisë së Shtetit, me strukturat në vartësi të saj, ka marrë një sërë masash për të garantuar rendin publik , sigurinë dhe mbarëvajtien e aktiviteteve që do zhvillohen me rastin e vizitës  së  Kryeministrit të Republikës së  Serbisë në Tiranë, më datat 27 e 28 Maj 2015, si dhe për të garantuar rendin e sigurinë në tërësi gjatë dy ditëve të zhvillimit të Samitit Ekonomik të Vjenës në Tiranë.
Në këtë kuadër, do të angazhohen, Strukturat Qendrore të Drejtorisë së Përgjithshme për Sigurinë Publike, Drejtorisë së Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, Drejtorisë së Përgjithshme për Kufirin dhe Migracionin, Drejtorisë së Antiterrorit, si dhe të Forcës së Posaçme Operacionale.
Në mbështetje të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë dhe Durrës do të angazhohen strukturat e Forcave Lëvizëse Operacionale, konkretisht nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë 160 punonjës policie, si dhe nga Forcat Speciale Renea 80 punonjës policie.
Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë do të angazhohen gjithsej 850 punonjës policie, nga Shqiponjat , Patrullat e Përgjithshme, SPZ, Policia Rrugore, Hetimi i Krimit, si dhe nga Operacionet Speciale.
Gjithsej vëtëm në Tiranë do të angazhohen në terren 1090 punonjës policie.
Ndërsa në teritorin e Qarkut Durrës do të angazhohen 220 punonjës policie.

SHKARKO APP