Shtimi i azilkërkuesve shqiptarë shqetëson Holandën

Numri i azilkërkuesve shqiptarë vazhdoi të rritet në Holandë edhe muajt e parë të vitit 2016, ndërsa ankesat e shqiptarëve atje për kushtet e strehimit dhe ushqimit kanë zemëruar vendasit.

Nga Vincent Triest, BIRN

Numri i kërkesave nga azilkërkuesit shqiptarë në Holandë në javët e fundit për herë të parë ka kaluar numrin e aplikantëve sirianë duke u bërë kështu grupi më i madh kombëtar, tha javën e shkuar në mars zëdhënësi i ministrisë holandeze të sigurisë dhe drejtësisë.

E shqetësuar nga ky trend, qeveria holandeze ka ndërmarrë masa për ta kufizuar valën.

Që nga vera 2015, numri i aplikimeve për azil nga Shqipëria është rritur dhe arriti 1010 në fund të vitit. Deri në 2014 vetëm disa dhjetëra shqiptarë kërkonin azil në Holandë çdo vit.

Ky trend i rritjes vazhdoi në dy muajt e parë të 2016, kur 480 shqiptarë kërkuan azil. Sipas zyrtarëve holandezë, numri u shtua në mars, megjithëse shifrat ekzakte të shqiptarëve, sirianëve dhe aplikantëve të tyre mbeten ende për t’u zbuluar. Ministria tha se shqiptarët tani renditen të parët për nga kërkesat për azil.

Numrat e atyre që kanë marrë përgjigje pozitive për kërkesat mbeten të ulëta.

Në 2015, vetëm katër shqiptarë fituan leje të përkohshme banimi, ndërsa 795 aplikantë u refuzuan.

Megjithëse numrat e aplikanëtëve shqiptarë për azil në Holandë mbeten më të ulët se në Gjermaninë fqinje, ku rreth 55,000 shqiptarë kërkuan azil vitin e shkuar, qeveria holandeze është shqetësuar nga fluksi.

Ajo ka miratuar mjete të reja në përpjekje për të kontrolluar dhe ulur numrin e azilkërkuesve nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Si pjesë e kësaj përpjekje, zyrtarë qeverisë holandeze vizituan Tiranën në janar për të rënë dakord me qeverinë shqiptare për mënyra të reja të rikthimit të azilkërkuesve të refuzuar.

Pas vendimit të BE-së për heqjen e vizave me Shqipërinë në 2010, shqiptarët mund të udhëtojnë në vendet Shengen pa viza.

Megjithatë, kur një shtetas shqiptar aplikon për azil, ai ose ajo automatikisht shkel rregullat e regjimit pa viza.

Kjo është arsyeja përse vendet e BE-së mund të ndalojnë hyrjen e shtetasve shqiptarë për shtatë vite në BE nëse nuk duan të kthehen në shtëpi.

Gjatë bisedimeve në Tiranë, dy qeveritë ranë dakord se qeveria holandeze mund të përdorë fluturime çarter për të sjellë në shtëpi azilkërkuesit e refuzuar. Kështu, Holanda nuk varet më nga fluturimet e programuara dhe mund t’i kthejë më shpejt shqiptarët.

Megjithatë, pavarësisht hapave për të kthyer në shtëpi me shpejtësi aplikantët e refuzuar, numri i shqiptarëve që aplikojnë për azil në Holandë po rritet.

Sipas ministrisë holandeze të sigurisë dhe drejtësisë, deri më 14 mars  2016, 1074 shqiptarë u akomoduan në qendra të azilit në Holandë.

Kur BIRN i pyeti ata përse u larguan nga Shqipëria për në Holandë, shumica thanë prej mungesës së punës dhe situatës së vështirë ekonomike.

Emiljano, 37-vjeçar, që jetonte në Oss, tha se u largua prej situatës ekonomike dhe problemeve personale në Shqipëri.

Ai i tha BIRN se ishte hedhur nga njëri vend europian në tjetrin duke kërkuar azil, nga frika e sigurisë personale në shtëpi.

Kastrioti, 58-vjeçar, i tha BIRN se u largua nga Shqipëria prej mungesës së kujdesit shëndetësor dhe trajtimeve mjekësore.

Me diabet, ai ka mundur të marrë ndihmë mjekësore falas në Holandë ndërsa pret një përgjigje për kërkesën për azil.

SHKARKO APP