Shtimi i rasteve me COVID-19 në Shkodër, Spahia: Neglizhencë kriminale, protokolli bazë i verifikimeve nuk është kryer
Duke marrë shkas nga shifrat shqetësuese që vijnë nga qyteti i Shkodrës ku nga 15 teste të bëra për Covid-19 kanë rezultuar 12 persona pozitiv, ish-deputeti demokrat Bardh Spahia deklaron se kjo rritje vjen si pasojë e neglizhencës kriminale të qeverisë dhe strukturës së posaçme të ngritur për përballimin e pandemisë në Shqipëri.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Spahia thekson se protokolli bazë i verofikimeve nuk është kryer.
“Mediat raportojnë se në Shkodër u konfirmuan edhe 12 raste të reja me COVID-19! Skandaloze është se të prekurit e rinj janë persona që kanë kontaktuar me pacientë të identifikuar më herët! Cka do të thotë se protokolli bazë i verifikimeve nuk është kryer! Ata kanë mundur të lëvizin lirisht, duke infektuar edhe persona të tjerë! Kjo mungesë vëmendje për Shkodrën nuk është dicka e re se është denoncuar edhe më herët nga mjekë e infermierë! Eshtë skandaloze testimi tejet i ulët që i rezervohet Shkodrës dhe mosrespektimi i protokolleve për frenimin e përhapjes së virusit! Ftoj bashkëqytetarët e mij të rrisin vetëkujdesin në këto ditë të vështira, duke respektuar rregullat e distancimit social, karantinës e duke treguar pa hezitim nëse kanë historik udhëtimi në vendet e prekura nga COVID-19 apo kanë kontaktuar persona që kanë udhëtuar në ato vende. Rastet e sotme dëshmojnë se duhet të mbështeteni tek vetja dhe tek keshillat e specialisteve e jo tek autoritetet!”, shprehet ish-deputeti demokrat, Bardh Spahia.
Duke iu referuar shifrave të fundit të Shkodrës, mësohet se të gjithë janë pjesëtarë të familjes së dy rasteve të infektuara që dolën sëfundmi në lagjet Kiras dhe në Dobraç.