Shtohen 1087 forca policore. Tahiri: Mbështetje projekteve teknologjike

Krahasuar me 1 vit më parë, rritja është 14.5 % dhe këtu përfshihet një shtim i forcave të policisë, edhe me 1087 forca.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha para deputetëve të Komisionit se “një polici e varfër nuk mundet të luftojë krimin e shumë pasuruar”.

I pyetur nga kryetari i Komisionit Spartak Braho, nëse projektbuxheti parashikonte edhe mbështetjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ministri Tahiri tha se “megjithëse nuk ishte një zë më vete, Byroja e Hetimit dhe Drejtoria Antiterror, janë të përfshira në projektin financiar të vitit të ardhshëm”.

Kreu i Ministrisë së Brendshme shtoi se janë nisur disa projekte të mëdha teknologjike, për të minimizuar korrupsionin në rradhët e policisë dhe garantuar të drejtat e njeriut nga ana tjetër.

Duhet të çlirojmë policin nga qëndrimi statik në kryqëzime dhe nga debati, a ishte semafor i kuq apo portokalli, dhe këtë barrë duhet t’ja kalojmë teknologjisë, duke siguruar garantimin e të drejtave të njeriut për çdo qytetar. Në fund të vitit të ardhshëm parashikohet të finalizohet projekti për të vendosur kamera në trup të çdo polici, dhe i gjithë procesi të monitorohet nga civilë të trajnuar”, tha Tahiri.

Nga janari nis zbatimi i projektit për komisariatin dixhital duke krijuar hapësirën e nevojshme për akses të lehtë dhe të shpejtë të qytetarëve pranë shërbimeve të Policisë, jo vetëm për shërbimet administrative që jep policia, por edhe për shërbimet policore. Duke filluar me këtë shërbim në zyrat e shërbimit unik pranë Drejtorive dhe komisariateve të policisë, por duke shkuar deri tek telefoni i çdo qytetari apo kompjuteri i shtëpisë dhe i zyrës prej nga ku mund të aksesohet, porta e komisariatit dixhital dhe mund të marrësh shërbimet qofshin këto administrative, apo qofshin policore për denoncim, për kallëzim, për informacion lidhur me policinë e kështu me radhë, duke u munduar që policinë ta bëjmë një mik të qytetarëve dhe duke e bërë një mik të qytetarëve të ndershëm, sigurisht e kemi bërë një mjet represiv ndaj atyre që kapërcejnë kufijtë e ligjit apo shkelin ligjin”, nënvizoi kreu i ministrisë së Brendshme.

Një zë i rëndësishëm në projektbuxhetin e Ministrisë së Brendshme shkon për Gjenden Civile.

“Objektivi themelor është mbështetja për Rregjistrin e Gjendjes Civile dhe shkrirjen e këtij rregjistri me atë të Adresave, që i jep zgjidhje përfundimtare listës së zgjedhësve dhe shmang evazionin fiskal, pasi do të kemi një pasqyrë të plotë të pasurisë që u përket personave përkatës”, theksoi ministri.

SHKARKO APP