Shtohen ankesat për fushatën e vaksinimit nëpër Europë

Publiku ka qenë kritik ndaj shpërndarjes së vaksinave të koronavirusit në të gjithë Europën. Ja se si paraqitet situata në disa vende të BE-së.

Kancelarja gjermane Angela Merkel u takua (06.01) me zyrtarë të shëndetësisë, ndërsa qeveria që ajo drejton kërkon të përshpejtojë skemën e vaksinimit në të gjithë vendin.

Ministrat janë vënë nën akuzë nga një pjesë e madhe e mediave gjermane se po vonojnë së tepërmi procesin e vaksinimit për personat që janë të rrezikuar më së shumti nga koronavirusi. Gjermania e nisi fushatën kombëtare të imunizimit më 27 dhjetor të vitit të kaluar. Më shumë se 300 mijë persona janë vaksinuar deri tani. Shumica e tyre janë banorët e shtëpive të përkujdesit dhe të moshuarit mbi 80 vjeç.

Sipas sistemit federal gjerman, 16 landet janë vet përgjegjës për administrimin e vaksinave.

Franca

Gazeta Journal du Dimanche raportoi të shtunën (02.01) se presidenti Emmanuel Macron është i nevrikosur me ministrat për shkak të skemës së ngadaltë që qeveria po ndjek për vaksinimin.

Vetëm disa mijëra persona kanë marrë dozën e parë atje, krahasuar me të njëjtën periudhë kur Gjermania ka mundur të vaksinojë 300 mijë njerëz.

Një takim i kabinetit ministror është zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës (06.01) për të diskutuar rreth krizës, por ministri i Shëndetësisë Olivier Veran është zotuar që të kapë ritmin e fqinjëve të tij europianë në ditët e ardhshme.

Italia

Në Itali gjithashtu, menaxhimi i fushatës vaksinuese po shkakton trazira të brendshme politike. Rreth 20 mijë vetë janë vaksinuar deri tani në shtetin që është ndër më të prekurit rëndë nga kjo pandemi. Vetëm Gjermania ka siguruar më shumë doza në Bashkimin Europian.

Sidoqoftë, qeveria e kryeministrit Giuseppe Conte po përballet me kritika të forta. Shoqata e Mjekëve Italianë Fnomceo, për shembull, është e revoltuar që 60 mijë profesionistëve mjekësorë të vendit nuk iu dha një rol më i madh në koordinimin e fushatës së vaksinimit.

Paraardhësi i Contes, Matteo Renzi, thotë gjithashtu se është bërë një progres i ngadaltë me procesin e vaksinimit. Ai tashmë po kërcënon me tërheqje nga mbështetja e partisë së tij për aleancën aktuale qeverisëse. Nëse ai do t’a bënte realitet kërcënimin e tij, do të rrëzonte qeverinë dhe do të shkaktonte zgjedhje të reja.

Holanda

Me një vonesë prej rreth dy javësh krahasuar me fqinjët e saj europianë, Holanda ishte vendi i fundit në Europë përsa i përket nisjes së fushatës së vaksinimit. E para që mori dozën e vaksinës ishte një infermiere.

Përballë kritikave mbarëkombëtare, kryeministri Mark Rutte u detyrua të pranonte se qendrat e vaksinimit nuk ishin përgatitur në mënyrën e duhur për shpërndarjen e vaksinës BioNtech-Pfizer. Përkundrazi, qeveria e tij kish shpresuar që rregullatorët e BE-së të aprovonin vaksinën e shpikur nga Universiteti i Oksfordit dhe prodhuesi britanik AstraZeneca.

Çdo dozë kushton thuajse 3 Paund dhe mund të administrohet me më pak shpenzime nga praktika mjekësore.

Polonia

Si pjesë të planit të saj të vaksinimit, Polonia ka prioritet imunitetin e stafit mjekësor dhe punonjësve të shtëpive të të moshuarve.

Sipas qeverisë, që nga nisja e javës rreth 50 mijë njerëz nga kjo kategori kanë marrë dozën e parë të vaksinës.

Pas stafit mjekësor dhe stafeve në shtëpitë e të të moshuarve, do të nisë vaksinimi i personave mbi 60 vjeç, ushtarëve, oficerëve policorë dhe mësuesve. Por qeveria u përball me kritika kur u zbulua lajmi se 18 politikanë dhe figura të shquara të jetës kulturore kishin siguruar dozat e tyre gjatë një fushate vaksinimi që u drejtua nga një prej shkollave më të mira mjekësore në Varshavë.

Më vonë ministrat këmbëngulën se s’do të kishte më “kapërcim radhe”, duke kërkuar që secili duhet të ndiqte procedurën për të cilën ish rënë dakord. Zyrtarët thanë se në të ardhmen do të monitoronin në mënyrë më rigoroze administrimin e vaksinimeve./Dw

SHKARKO APP