Shtohen denoncimet për “policen” mashtruese, pikaste argjendaritë dhe tregonte distiktivin e policisë

Policia e Tiranës ka marrë denoncime të reja për gruan mashtruese e cila mashtronte shitësit dhe merrte produkte pa i paguar pasi prezantohej si punonjëse policie. Elvira Lani pikaste argjendari kryesisht ku premtonte se do rikthehej në një moment të dytë. Ajo tregonte emra drejtuesish policie duke u pohuar se kishte njohje me ta.

Në policinë e Tiranës kanë mbërritur denoncime të reja për gruan 42-vjeçare Elvira Lani, e cila u arrestua pasi mashtronte shitësit e dyqaneve duke blerë produkte pa paguar me pretendimin se ishte punonjëse policie.

Gjatë fazës së hetimeve policia ka marrë 4 denoncime nga pronarët e dyqaneve, ndërsa pas ndalimit të saj të mërkurën, janë regjistruar dhe 4 denoncime të tjera.

Burime nga policia bëjnë me dije se ka dhe raste të tjera të cilat po verifikohen për veprën penale të mashtrimit nga ana e 42-vjeçares. Sipas hetuesve gruaja pikaste  kryesisht argjendaritë ku blinte bizhuteri floriri dhe u premtonte se do u sillte lekët me justifikimin se i kishte harruar në banesë.

Për ta bërë më të besueshme ajo u tregonte shitësve distinktivin e policisë dhe një serë dokumentesh, ndërsa deklaronte se kishte njohje me drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit.

Në ambientet e dyqanit ajo linte vetëm emrin dhe më pas nuk rikthehej për të kryer pagesën, çka i ka detyruar pronarët e bizneseve të bëjnë denoncim pranë policisë së kryeqytetit.

Elvira Lani u arrestua në flagrancë të mërkurën në kuadër të operacionit “Premtimi”, ku efektivët e policisë i sekuestruan pasaportë diplomatike, distinktiv dhe dokumente të tjera institucionesh.

42-vjeçarja Lani është drejtoreshë e Përgjithshme Koordinimi tek Agjencia Investigative “Stop Krimi”, ndërsa të shtunën pritet të dalë para gjykatës së Tiranës për tu njohur me masën e sigurisë. /Ora News

Shtohen denoncimet për “policen” mashtruese, pikaste argjendaritë e tregonte distiktivin e policisë

SHKARKO APP