Shtohen sot “qepenët” e mbyllur

Rruga “Myslym Shyri” konsiderohet si një ndër rrugët tregtare më të rëndësishme në Tiranë, nga e cila, shpeshherë konsumatorët “ankohen” për çmimet e kripura, apo të tjerë “mburren” për një shopping të kryer atje. Në rast se më parë, mbase asnjërit nuk i ka rënë në sy kur një dyqan i ka qepenat e mbyllur, tashmë kur aksioni i informalitetit është shndërruar në temë dite, është e pamundur që mos vihen re.

Nga një vëzhgim në të gjithë rrugën M.Shyri vihen re një numër i konsiderueshëm i bizneseve të mbyllura, të konstatuara dje dhe sot.

Pyetja që vendos dilema në shpjegimin e kësaj situatë është: Cila është arsyeja reale e mbylljes?
N.q.s më të vërtetë kanë mangësi dokumentacioni për ushtrimin e aktivitetit tregtar, atëherë si kanë mundur për vite me radhë disa syresh të qëndrojnë hapur? Apo, nga ana tjetër, meqenëse ky aksion është i paralajmëruar që një muaj më parë, e tatimorët kanë kryer kontrolle gjatë muajit gusht, përse nuk bënë përpjekje për të qenë të rregullt (n.q.s është kjo arsyeja e mbylljes së tyre)?

Një tregtar në fillim të rrugës, Andrea, që ka 1 vit që ushtron aktivitetin e tij, pohon se arsyet e mundshme të mbylljes së disa dyqaneve mund të kenë qenë: një licensë e pezulluar; kasë jashtë funksionit apo, edhe një mbyllje e përkohshme gjersa “vrulli” të ndalojë.

Në mesin e qepenëve të mbyllur, kishte edhe një shënim, i cili nuk tregonte “ Jepet me Qira” apo “Shitet” si të shumtët, por në përpjekje për të mbyllur “ gojët e liga”, shënimi ishte: “Mbyllet për arsye pushimesh”…/Monitor

SHKARKO APP