Shtyhen aplikimet për grante/COVID-19 “ngrin” financimet për fermerët
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ka shtyrë aplikimet e fermerëve për financime në bujqësi për vitin 2020. Sipas njoftimit zyrtar të këtij institucioni, në kuadër të masave drastike të marra nga qeveria për të kontrolluar përhapjen e ‘coronavirus’, AZHBR si njësi zbatuese, ka vendosur pezullimin e aktiviteteve informuese si dhe thirrjen për aplikime për masat mbështetëse nga “Fondi i Programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural 2020”.
Një muaj më parë qeveria përcaktoi kriteret, kategoritë përfituese dhe masën e financimit në bujqësi. Sipas vendimit, fondi do të përdoret për rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve blegtorale, të prodhimeve bujqësore në mjedise të mbrojtura dhe uljen e kostove të prodhimit, nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikulluara e subvencionimit të çmimit të plastmasës; b) shtimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike; c) certifikimin e produkteve bujqësore dhe fermave organike; ç) mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.
Konkretisht do të mbështen fermat me të imta me jo më pak se 70 krerë, në rreth 1200 lekë për krerë dhe për gjedhët 10 mijë lekë për krerë, si dhe do të mbështetet bletaria me 1 mijë lekë për zgjua për ferma jo më pak se 50 zgjoje. Për bimët aromatike financimi fillon nga 200 mijë lekë për hektarë për individë dhe grup fermerësh dhe deri në 4 milionë lekë për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor. Për fermat organike mbështetja do të jetë nga 100-200 mijë lekë, ndërsa për rikonstruksionin e ambienteve për turizëm rural, me 6-10 dhoma, financimi arrin deri në 5 milionë lekë për subjekt.
Ndërkohë 12 milionë lekë nga ky fond do të përdoren për pagesat e pa likuiduara për projektet fituese të vitit që lam pas si dhe interesat e kontratave.
/SCAN