Shtyhet deri me 16 prill gara për gjyqtarin e Shqipërisë në Strasburg
Kryeministria ka vendosur të shtyjë dhe me 26 ditë afatin e dorëzimit të kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Strasburgut.
Këshilli i Evropës i ka kërkuar qeverisë shqiptare të paraqesë listën me propozime për tri kandidaturat më të përshtatshme për pozicionin e gjyqtarit të ri të Shqipërisë në GJEDN. Ndërsa kjo do të jetë lista e katërt e propozimeve pas refuzimit të tre të parave.
Aktualisht, Shqipëria përfaqësohet ende nga Ledi Bianku, mandati i të cilit ka mbaruar zyrtarisht që në janar të vitit 2017, ndërsa për më shumë se një vit e gjysëm Shqipëria nuk ka rritur të plotësojë vakancën pasi Strasburgu i ka refuzuar emrat që kanë shprehur interes.
Por cilët janë emrat e kandidatëve që ka dërguar qeveria shqiptare në Gjykatën e Strasburgut?
Në fazën e parë, qeveria shqiptare dërgoi emrin e kandidatëve Sokol Berberi, në atë kohë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, Ina Rama, ish-kryeprokurore, aktualisht gjyqtare pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe emrin e Gent Ibrahimi, aktualisht i zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Kjo listë u refuzua nga Starburgu ndërsa qeveria shqiptare dërgoi si kandidat sërish Sokol Berberin, ndërsa të rinj futi Aurela Anastasin dhe Aleksandër Muskaj. Por sërish kjo listë u rrëzua nga Këshilli i Europës.
Qevria shqiptare edhe në fazën e tretë nuk hoqi dorë nga gjyqtari Sokol Berberi, duke e prezantuar sërish, ndërsa pjesë e listës ishin dhe Suela Mëneri dhe Irakli Koçollari. Edhe kjo listë kishte fatin e dy të parave, ndërsa në raportet e publikuara nga Këshilli i Europës theksohet se kandidaturat e dërguara nga qeveria shqiptare dhe procedura e përzgjedhjeve të tyre nuk janë në përputhje me standardet e kërkuara nga Asambleja e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian.
Në 16 shkurt, Këshilli i Ministrave hapi garën për herë të katërt, teksa këtë të martë theksohet se për të pasur sa më shumë kandidatura cilësore është vendosur shtyrja e afateve.
Aplikanti duhet të plotësojë këto kritere:
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të ketë arsim të lartë juridik;
- Të ketë të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, nëpunës i nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës, kryesisht në fushën e të drejtave të njeriut. Përparësi do të kenë kandidatët me përvojë praktike në sistemin e drejtësisë;
- Të mos ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit;
- Të mos ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
- Të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i shërbimeve të inteligjencës;
- Të ketë karakter të lartë moral, në përputhje me pikën 1, të nenit 21, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
- Të zotërojë një nga gjuhët zyrtare të Këshillit të Evropës (anglisht ose frëngjisht), si dhe, së paku, të ketë njohuritë bazë të gjuhës tjetër. Do të konsiderohet përparësi zotërimi i të dyja gjuhëve zyrtare të Këshillit të Evropës.
Dokumentet që duhet të dorëzohen janë:
- Kërkesë për aplikim;
- Kopje e letërnjoftimit;
- Curriculum Vitae në gjuhën shqipe dhe Curriculum Vitae të formatizuar sipas modelit në link-un e mëposhtëm, në një nga gjuhët zyrtare të Këshillit të Evropës (anglisht ose frëngjisht):
- Dokumente të diplomimit dhe të kualifikimeve shkencore;
- Dokument që të provojë vjetërsinë në profesion;
- Dokumente që provojnë njohjen dhe zotërimin e gjuhëve zyrtare të Këshillit të Evropës apo gjuhëve të tjera të huaja;
- Vetëdeklarim që është person i padënuar/dënuar apo ndaj të cilit nuk janë dhënë masa sigurie apo dënim me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar;
- Vetëdeklarim se interesat private nuk përmbajnë burime të paligjshme financiare, fshehje të pasurive, deklarime të rreme apo konflikt interesi;
- Vetëdeklarim se nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
- Vetëdeklarim se nuk është bashkëpunëtor, informator ose agjent i shërbimeve të inteligjencës;
(Deklarimi i rremë, përveç përgjegjësisë penale sipas ligjit, sjell përjashtimin
nga çdo procedurë e mëtejshme.)
- Dokumente të tjera në funksion të përmbushjes së kritereve të tjera plotësuese.
- Duke marrë në konsideratë rëndësinë e integritetit profesional e moral, si dhe pastërtinë e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë shqiptare, por edhe të përfaqësuesve shqiptarë në trupat ndërkombëtarë gjyqësorë, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, aplikantët për pozicionin e gjyqtarit të ri të Shqipërisë në GJEDNJ do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit kalimtar (Vetting-ut), si më poshtë:
1.Aplikantët për pozicionin e gjyqtarit në GJEDNJ, që mbajnë funksionet e parashikuara nga pikat 3 dhe 4 (fjalia e parë), të nenit 179/b, të Kushtetutës, rivlerësohen ex officio, nga institucionet e rivlerësimit;
2.Aplikantët për pozicionin e gjyqtarit në GJEDNJ që vijnë nga radhët e ish-gjyqtarëve, ish-prokurorëve, ish-këshilltarëve ligjorë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë punuar në këto pozicione të paktën tre vjet, do t’i nënshtrohen parimeve të pikës 3 të këtij njoftimi. Por, nëse dëshirojnë, mund të rivlerësohen nga institucionet e rivlerësimit, në përputhje me pikën 4 (fjalia e dytë), të nenit 179/b, të Kushtetutës;
3.Aplikantët e tjerë, profesionistë të së drejtës, që nuk përfshihen në kategoritë e përmendura në pikat 1 dhe 2, do t’u nënshtrohen parimeve që qëndrojnë në themel të procesit të rivlerësimit (Vetting-ut), të cilat lidhen me çështje të vlerësimit të pasurisë, kontrollit të figurës dhe vlerësimit profesional, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.
KOHA JONË SONDAZH

