Shtyhet deri në 30 qershor 2021 afati për Garancinë Sovrane

Ministria e Financave dhe Ekonomisë njofton se ka miratuar shtyrjen e afatit për aplikime në kuadër të skemës së garancisë shtetërore që synon rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar, e miratuar me anë të Vendimit të Këshillit të Ministrave më 13 maj të vitit të kaluar.

Ministria miratoi kërkesën e Shoqatës Shqiptare të Bankave, e cila ka vlerësuar të nevojshme një shtyrje tjetër të afatit për aplikim sipas kësaj skeme kredidhënie të mbështetur me garanci shtetërore, në kushtet ku ka akoma subjekte të interesuara për të përfituar nga kjo skemë. ”Ky afat shtyhet deri më datë 30 qershor 2021. Shtyrja e afatit për aplikime deri në mesin e vitit 2021 do të mundësojë përfitimin nga një masë më e madhe biznesesh, aktiviteti, i të cilave është goditur nga pandemia e Covid-19”.

Sipas SHSHB-së, deri në fund të muajit dhjetor 2020, që përkon dhe me afatin e fundit për aplikime sipas skemës së kësaj garancie, kanë përfituar 308 biznese, kryesisht në sektorin e tregtisë, shërbimit apo prodhimit, në favor, të të cilave janë miratuar kredi, linja kredie apo overdrafte, në një vlerë totale prej rreth 8.95 miliardë lekë.

”Në kushtet ku garancia sovrane mbulon 60% të vlerës së kredive, rezulton që deri në fund të vitit 2020, garancia shtetërore, e miratuar me një vlerë totale prej 15 miliardë Lekë, të jetë përdorur në vlerën prej më tepër se 5 miliardë Lekë (mbi 30%). Theksojmë se bankat kanë aplikime që janë akoma në proces vlerësimi, të cilat në mënyrë të vazhdueshme e rrisin këtë vlerë të përdorimit të mbështetjes me garanci shtetërore”,-njofton MFE-ja.

SHKARKO APP