Shtyhet gjyqi për Veliajn, ja kur mbahet seanca e radhës në GJKKO
Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është zhvilluar sot seanca ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas medieve, në sallë nuk është paraqitur Meriman Palushi, ndërsa për shoqërinë “Palushi sh.p.k.” është paraqitur vetëm avokati i saj. Po ashtu, Sokol Kryeziu nuk ka qenë i pranishëm, ndërsa fletëthirrja është kthyer e panënshkruar, duke lënë mbrojtjen të përfaqësuar vetëm nga avokatët. Mungesa janë regjistruar edhe për disa subjekte të tjera.
Në seancë është paraqitur Valmir Xoxa, i përfaqësuar nga avokati i tij, ndërsa është bërë me dije se avokati Maks Haxhia ndodhet jashtë vendit për shkak të një takimi zyrtar.
Nga ana e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) është kërkuar pezullimi i afateve të paraburgimit, me argumentin se mungesat e mbrojtjes ligjore po shkaktojnë shtyrje të procesit. Ndërkohë, mbrojtja e Erion Veliaj e ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke theksuar se i pandehuri nuk është shkak për vonesat dhe se nuk ka arsye për pezullimin e afateve.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme vendosi ndërprerjen e seancës dhe caktimin e datës 10 qershor për vijimin e procesit.
KOHA JONË SONDAZH

