Shtyhet pa afat kërkimi i naftës në zonën e debatuar me Greqinë

 

Tërheqja e Shqipërisë nga hedhja në ankand e këtij blloku mund të jetë e lidhur me negocimin mes dy vendeve. Më herët, Greqia i pezulloi kërkimet në këtë zonë. Ministria e Energjisë shtyu me një muaj afatet për 5 zona të tjera, me kërkesë të disa kompanive që kërkuan kohë.

 

Shtyhet afati i dorëzimit të ofertave për blloqet e lira të naftës që do t’u jepen kompanive private për kërkim dhe zhvillim. Hiqet dorë për një afat të pacaktuar edhe nga kërkimet në ‘Jon 5’, zonë e diskutuar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Vendimi, mesa duket, vjen pas tërheqjes së Greqisë nga kërkimi në zonë dhe ndoshta hapjes së mundësive të negocimit mes dy vendeve.

Një urdhër i posaçëm i ministrit të Energjisë, Damian Gjiknuri, ka anuluar dy urdhra të mëparshëm që kishin vendosur si afat për dorëzimin e ofertave datat 15 dhe 25 qershor për shtatë blloqe kërkimi në gjithë territorin e vendit, si tokë ashtu dhe det. Sipas Ministrisë së Energjisë, afati i ri i dorëzimit të ofertave do të jetë 15 korriku për 5 zonat e kërkimit në tokë që janë, Blloqet 4 dhe 5, Blloku C, ai i Panajasë dhe Blloku i Dumresë. Ndërsa për dy zonat e tjera të kërkimit në det, që janë blloku i Rodonit dhe ai i ‘Joni 5’ afati shtyhet në një periudhe të pacaktuar. Ky i fundit është edhe blloku për të cilin ka një konflikt të hapur kufiri me Greqinë. Tërheqja e Shqipërisë nga hedhja në ankand edhe e këtij blloku mund të jetë e lidhur me negocimin mes dy vendeve. Më herët ishte njoftuar se Greqia i pezulloi kërkimet në këtë zonë deri në arritjen e një marrëveshjeje me Shqipërinë për kufirin detar. Marrëveshja e 2009-s që u nënshkrua nga palët, u anulua në Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri dhe Tirana zyrtare kërkon ose rinegocim të saj, ose një shqyrtim të kufijve në Gjykatën Ndërkombëtare.

Burime nga ministria thanë se shtyrja me një muaj e afatit për 5 blloqet në tokë vjen pasi disa kompani, ndër më të mëdhatë në arenën ndërkombëtare kanë shprehur interes, por kanë kërkuar më shumë kohë në dispozicion për studimin e të dhënave dhe përgatitjen e ofertave. Ndërsa për blloqet e detit, afati është shtyrë për të përmirësuar të dhënat sizmike. Deri më tani, zonat hidrokarbure ishin nën administrimin e “Albpetrol” dhe ka qenë kjo kompani që i ka transferuar ato tek privatët përmes negociatave të drejtpërdrejta. Me ndryshimin e ligjit, qeveria thotë se blloqet e reja do t’i nënshtrohen garës në një proces të hapur dhe fituesi do të zgjidhet përmes kritereve të paracaktuara.

Përmes riaktivizimit të kërkimeve hidrokarbure, Qeveria shpreson të tërheqë kapital nga jashtë për të ndihmuar ekonominë, edhe pse industria e naftës gjendet në një moment të vështirë.

Rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka goditur dukshëm investimet në këtë sektor, jo vetëm në kërkim, por edhe shfrytëzimin e burimeve ekzistuese. Disa nga kompanitë që shfrytëzojnë vendburimet e naftës në Shqipëri kanë njoftuar shkurtim të investimeve për të kompensuar rënien e të ardhurave. Por përtej konjukturës së rënduar globale, hidrokarburet mbeten një nga sektorët që vazhdojnë të thithin pjesën më të madhe të investimeve nga jashtë dhe që mbajnë peshën kryesore në eksportet kombëtare. (Marrë me ndryshime nga TCH)

SHKARKO APP