Shtyhet për në 12 shkurt seanca për dosjen ”184”
Seanca gjyqësore për dosjen “184” për shitblerjen e votave në zgjedhjet e vitit 2016 në Dibër, është shtyrë për herë të dytë. Seanca e radhës do të mbahet me 12 shkurt. Përfaqësuesi i PD kërkoi përjashtimin e gjyqtarit për njëanshmeri në gjykim. Ndërsa pala e të pandehurve kërkoi në gjykatë të pushohen hetimet me argumentin se nuk ka prova. Për dosjen ”184” janë marrë të pandehur Robert Aga, Drini Gjeci, Nuri Meda dhe Hasan Hoti. Në seancë u kërkua dhe pushimi i çështjes për Dionis Imerajn, Imer Lalën, Arben Keshin, Bekim Krashin, Afrim Miklin.
Të akuzuarit janë:
-Robert Aga ish-shef komisariati në Dibër, akuzuar për shpërdorim detyre.
-Drini Gjeci ish-drejtor i Arsimit, akuzuar për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve.
-Nuri Meda zyrtar në njësinë administrative Tomin akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe Hasan -Hoti Njësia administrative Lure akuzuar për kanosje të zgjedhësve.
Këta të fundit akuzohen se kanë përjashtuar disa familje nga skema e ndihmës ekonomike për bindje politike.
Disa prej tyre ishin në gjykatë në cilësinë e dëshmitarit, ndërsa e konsideruan veten viktima të dosjes 184.