Shtyhet seanca për Belerin, ja çfarë dëshmie dha vëllai i bashkëpunëtorit të drejtësisë
Edhe këtë të martë është shtyrë seanca gjyqësore për Fredi Belerin. Ajo do të mbahet më datë 19 dhjetor, ora 14:30. Dëshmitari Abdyl Rama, vëllai i bashkëpunëtorit të drejtësisë Arsen Rama nuk është paraqitur në seancë. Në dëshminë e parë të dhënë në Prokurorinë e Vlorës, vëllai i Arsen Ramës, Abdyl Rama ka deklaruar në fillim se vëllai i tij i ka thënë duhet të takojmë Alfred Belerin.
Më pas në dëshminë e dytë të marrë nga Prokuroria e Posaçme ai ka thënë se “pak ditë pas arrestimit me kanë ndaluar dy persona që i kanë thënë janë miq të Belerit. Do e marrim vëllain tënd dhe do e kalojmë në Greqi do japim azil politik dhe nuk do e vrisni mendjen”, është shprehur ai, deklaratë kjo, e cila u lexua sot nga Prokuroria e Posaçme.
Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Vetë Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik.