Shtyhet viti shkollor? Ministrja tregon se çfarë do të ndodhë
Në një kohë kur edhe shkollat janë të mbyllura dhe një pjesë e mësimeve po jepen përmes TV, lind pyetja se nëse do të shtyhet viti shkollor. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, në një lidhje direkte me studion e Ditari në A2, u shpreh se shpreson që situata të përmirësohet dhe të rinis mësimi në shkollë në datën 23.
“Nëse merret vendimi për shtyrjen e kësaj date, do të vijojmë mësimin “online”. Përsa i përket shtyrjes së përfundimit të semestrit, ky nuk është vendim për t’u marrë tani. Do të shohim situatën nga dita në ditë dhe në varësi të kthimit në shkollë dhe orëve të humbura, do të marrim një vendim”.
Nga ana tjetër, me rëndësi të madhe ka edhe Matura Shtetërore. “Për momentin, nuk kemi menduar plan B, pasi janë vetëm dy javë mësimi në shtëpi, ku kemi bërë edhe përforcim leksionesh për maturantët. Kemi bërë udhëzues për llojet e pyetjeve për testin e maturës. Po shpresojmë që mbylljen në shtëpi, maturantët ta shfrytëzojnë për t’u thelluar në mësime. Jemi ende në kohë”.
Ministrja theksoi se aktualisht, “mësuesit kanë krijuar grupe me klasat respektive ku japin instruksione për detyrat e shtëpisë”. “Jemi befasuar për mirë nga kalimi nga klasa në mësimin “online”. Do të shohim se cili është efekti i mësimit “online” pasi na duhet jo vetëm për tani, por edhe për procesin e digjitalizimit të arsimit në Shqipëri”, shtoi Shahini.