Shuhet nga Covid-19 mjeku anestezist Kërci, 25 mantelbardhët që humbën betejën

Një tjetër bluzë e bardhë nuk e ka fituar betejën me virusin vdekjeprurës. Mëngjesin e së dielës mjeku anestezist Mihal Kërci u shua nga Covid-19, pasi prej disa ditësh ishte në gjendje të rëndë. Ai ishte mjek anestezist pranë reanimacionit dhe ka drejtuar edhe shoqatën me të njëjtën emër. Kërci është mjeku i 24-tër që ka humbur jetën si pasojë e Covid-19 që prej fillimit të pandemisë në Shqipëri. Për këtë humbje të madhe kanë reaguar edhe krerët e shtetit.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për humbjen e mjekut Mihal Kërci nga pandemia e Covid-19. Kreu i shtetit, thotë se kjo situatë kërkon një reflektim të thellë. ”Humbja e jetëve, si pasojë e Covid-19, të shumë mjekëve të shkëlqyer si Drini Dobi, Bledi Nini dhe të tjerë, është e pazëvendësueshme dhe boshllëku i krijuar në ndihmën e kualifikuar ndaj të sëmurëve tashmë ka për të qenë shumë problematik. Kjo situatë kërkon marrjen e masave të shpejta, pa kursyer asgjë”,-shkruan Meta në facebook.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar për ndarjen nga jeta të mjekut anestezist Mihal Kërci. Përmes një mesazhi ngushëllimi, Basha shprehet se kjo është një tjetër humbje e rëndë për të gjithë ne dhe personelin shëndetësor, që janë në vijën e parë të betejës për të shëruar të sëmurët me Covid-19, ndërsa vënë në rrezik jetët e tyre.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka shprehur ngushëllimet familjes së mjekut Mihal Kërcit. Ajo shkruan se Kërcin e ka takuar ditën e parë kur mjeku i ndjerë i’u bashkua grupit të anestezistëve. ”Mjekësia shqiptare humbi një prej profesionistëve më të zotë. Në këto momente dhimbjeje, i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes, kolegëve dhe miqve të dr. Mihalit. U prehsh në paqe prof. Kërçi”,-shkruan Manastirliu.

Mjeku Tritan Kalo ka publikuar foton e tyre, duke i cilësuar si personat e vitit në Shqipëri, ndërsa shkruan se këto ”25 yje që do t’i mungojnë vargut të yjeve të mjekëve shqiptarë, të cilët punuan e sakrifikuan një jetë të tërë për të mbrojtur dhe shpëtuar jetët e të tjerëve”. Për të nderuar sakrificën e bluzave të bardha që humbën jetën, Kalo thotë se e vetmja mënyrë është që gjithsecili të ndërgjegjësohet dhe të respektojë masat anti-covid.

Mjekët që kanë ndërruar jetë për shkak të Covid-19:

1-Anibal Byberi (53 vjeç)-mjek i përgjithshëm, Bajram Curri
2-Astrit Hzairi (54 vjeç)-mjek i përgjithshëm, Kukës
3-Arian Pushi (58 vjeç)-mjek hematolog, Tiranë
4-Agron Menzelxhiu (71 vjeç)-kirurg, Elbasan
5-Memo Boçi (81 vjeç)-epidemiolog, Tiranë
6-Hysni Shkjau (69 vjeç)-mjek familje, Pukë
7-Vilson Topulli (73 vjeç)-epidemiolog, Tiranë
8-Zyliha Kraja (78 vjeçe)-kirurge, Shkodër
9-Esat Pashaj (71 vjeç)-mjek i përgjithshëm, Skrapar
10-Muharrem Xhepexhiu (64 vjeç)-mjek familjeje, Lushnjë
11-Sefer Dervishi (61 vjeç)-mjek familjeje, Kavajë
12-Ilirjan Draçi (66 vjeç)-mjek i përgjithshëm, Tiranë
13-Hidajet Deda (67 vjeç)-pediatër, Kavajë
14-Eduart Dhamo (57 vjeç)-mjek i përgjithshëm, Lushnje
15-Sefer Dervishi (61 vjeç)-mjek i përgjithshëm, Kavajë
16-Shaqir Shehu (68 vjeç)-kirurg, Kukës
17-Ibrahim Kaziu (68 vjeç)-pneumolog, Dibër
18-Ferdinand Shkrepa (68 vjeç)-okulist, Elbasan
19-Bledi Nini (48 vjeç)-otorinolaringolog, Tiranë
20-Myftar Zemani (78 vjeç)-mjek familjeje, Fier
21-Leonard Kamberi (47 vjeç)-gjinekolog, Vlorë
22-Suela Muça (48 vjeçe)-gjinekologe, Tiranë
23-Drini Dobi (51 vjeç)-neurolog, Tiranë
24-Elmaz Eltari (85 vjeç)-ish-drejtues i Klinikës Infektive
25-Mihal Kërci-nestezist, Tiranë

SHKARKO APP