Shullazi kallëzon penalisht Arta Markun dhe Donika Prelën
Të dënuarit Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani kanë kallëzuar penalisht ish-kryeprokuroren e Përkohshme Arta Marku si dhe ish-drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Arta Marku është momentalisht me detyrë si prokurore në Gjykatën e Apelit të Tiranës, kurse Donika Prela u shkarkua pasi nuk kaloi shkallën e dytë të Vetting-ut, për shkak të problemeve të vërejtura në pasuritë e saj.
”Me Urdhrat respektivë Nr. 253 dhe 255, datë 28.07.2020, të Ministrit të Drejtësisë, jemi vendosur në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave, në burgun e sigurisë së lartë pranë Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale “ Jordan Misja”, Tiranë. Urdhrat e Ministrit të Drejtësisë, janë ankimuar në Gjykaten e Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si të kundraligjshëm dhe abuzive. Sipas ligjit të kohës kur kanë dalë Urdhrat e Ministrit të Drejtësisë, por edhe sipas ligjit të ri, ky i fundit vepron mbi kërkesën e arsyetuar e cila duhet t’i paraqitet Ministrit nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Prokuroria e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është krijuar në datën 19 dhjetor 2019, kur tetë prokurorë të emëruar në SPAK janë betuar para Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në rastin e të dy Urdhrave të Ministrit të Drejtësisë, kërkesa dhe inicimi i procedurës është bërë nga Drejtuesja e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, e kallëzuara Donika Prela, e cila nuk e kishte kompetencën për të inicuar nje procedurë të tillë. E kallëzuara Arta Marku në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës nga ana e saj, në shkelje të Kushtetutës së Republikes së Shqipërisë, ka nxjerrë Udhëzimin Nr.02, datë 24.05.2019 “Për zbatimin e ligjit lidhur me Regjimin e Posaçëm në Burgun e Sigurisë së Lartë”, lexohet në kallëzim.