Shumë shtete po e refuzojnë, por Shqipëria jo/Bino: Vaksina AstraZeneca s’ka problem
Rumania, Bullgaria, Danimarka, Austria, Italia dhe Norvegjia kanë pezulluar vaksinën anti-covid nga AstraZenca, por në Shqipëri mbërrijnë 38 mijë e 400 doza, kjo për të nisur të shtunën me vaksinimin e mësuesve. Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, Silva Bino e cila po merret në mënyrë direkte me procesin e vaksinimit në Shqipëri, thotë se vaksina që mbërrin në vendin tonë vjen nga Suedia dhe nuk ka lidhje me vendet e tjera
AstraZeneca do të aplikohet për të gjitha grupmoshat pra mbi 18 vjeç edhe tek ata mbi 65-vjeç për të cilat në fillim ishte e ndaluar. Në radhë të mësuesve të cilët kanë firmosur se do ta aplikojnë të shtunën vaksinën kanë nisur hezitimet ndonëse Bino sqaron se edhe në ato vende ku ka pasur probleme është duke u studiuar nëse në të vërtetë kanë lidhje me vaksinën.
Danimarka, Norvegjia, Islanda, Italia dhe Rumania kanë shtyrë apo kufizuar vaksinimin, pas raportimeve të izoluara të pacientëve që janë përballur me trashje gjaku. Tajlanda ka vepruar njësoj më 12 mars. Australia, Meksika dhe Filipinet kanë thënë se do të vazhdojnë vaksinimin, pasi nuk kanë gjetur arsye për të vepruar ndryshe. Kanadaja po ashtu ka thënë se nuk ka të dhëna se vaksina shkakton reaksione agresive.
Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi sot se nuk kishte arsye për të mos përdorur vaksinën e AstraZeneca-s, pas ndërprerjes së përdorimit të saj si masë parandaluese në disa vende europiane. ”Ne duhet të vazhdojmë të përdorim vaksinën e AstraZeneca-s, nuk ka arsye për të mos e përdorur”, deklaroi Margaret Harris, një zëdhënëse e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në një konferencë shtypi në Gjenevë.
Deri më tani rreth 5 milionë evropian kanë marrë dozat e para të AstraZeneca. Vende si Mbretërinë e Bashkuar, Gjermania, Australia dhe Meksika, kanë thënë se po vazhdojnë shpërndarjen e tyre. Disa vende e kanë pezulluar, pasi disa persona kanë shfaqur mpiksje gjaku, pasi kanë marrë vaksinën.