Shyqëriu: Shërbimi shëndetësor aktual nuk është falas, PD do ta reformojë, paratë do dalin nga anulimi i koncesioneve

Liljana Shyqëriu, anëtare e task-forcës anticovid në PD, në një intervistë për RTV Ora u shpreh se Testimet vazhdojnë që të mos realizohen në numrin e nevojshëm sipas rekomandimeve të OBSH-së.

Për Shyqëriun, shërbimi shëndetësor aktual jo vetëm që nuk është falas, por ka çuar në dhënie e një shërbimi jo cilësor.

Shyqëriu: Testimet vazhdojnë që të mos realizohen në numrin e nevojshëm sipas rekomandimeve të OBSH-së. Programi që ne kemi paraqitur është një ndërhyrje e gjithë kolonave të sistemit shëndetësor. Shtyllat kryesore janë pacienti dhe shërbimi që ai duhet të marrë. Shërbimi do të jetë cilësor dhe do të transformohet në shërbim të pacientit. Nëse shumica e qytetarëve nuk e kanë kuptuar mjekun e familjes, apo  sistemin, por janë përballur vetëm kur janë sëmurë, ne do ta bëjmë të aksesueshëm dhe shumë të thjeshtë si skemë. Nëse qytetari paguan ato kontribute për sistemin shëndetësor, nesër qytetari do të ketë kartën e pacientit dhe do të paraqitet atje ku do të marrë shërbimin.

Shërbimi shëndetësor aktual jo vetëm që nuk është falas, por ka çuar në dhënie e një shërbimi jo cilësor. Kemi spitale rajonale që nuk funksionojnë për shkak të cilësisë së shërbimit. Ne kemi menduar decentralizimin e spitaleve rajonale dhe do t’u japim autonomi. Nëse mjekimi sot merret në bazë të një ilaçi i cili është në listën e rimbursimit, por jo ilaçet e tjera, ne nesër do të bëjmë kostimin e diagnozës. Do të jetë mjeku ai që do të vendosë medikamentet dhe cilësinë e tyre. Ne do të kontrollojmë barnat dhe do të futen vetëm ato që shiten në BE.

Shyqëriu shtoi se paratë për reformën e PD-së në shëndetësi do të dalin nga buxheti i shteti dhe do të tërhiqen nga ato koncesione të cilat kanë qenë korruptive dhe që nuk kanë ofruar asgjë në shëndetësi.

Shyqëriu: Në kohën e specializimit ne kemi premtuar që do të ketë pagesë për ta, sepse nuk merret. Po ashtu do të hiqet tarifa që paguhet momentalisht. Paratë do të dalin nga buxheti i shteti dhe do të tërhiqen nga ato koncesione të cilat kanë qenë korruptive dhe që nuk kanë ofruar asgjë në shëndetësi. Këto para nuk janë pak dhe duhet t’i kthehen shtetit. Ne kemi bërë analiza me sektorin juridik dhe vetë Basha ka thënë që këto koncesione do të anulohen. Me ne në pushtet reforma do të jetë e thellë. Individit do t’i jepet peshë, por këtu nuk funksionon sistemi dhe këtë do ta reformojmë, gjë e cila do të jetë e prekshme nga pacientët.

SHKARKO APP