Si do jetë ekonomia Post-Pandemi? – Projeksionet afatmesme: Rritje rreth 5% në 2021-2024, do nxitet nga industria e shërbimet
Pas recensionit të fortë në vitin 2020, aktualisht i parashikuar në -4.4 për qind, ekonomia pritet të rikuperohet në vitin 2021 dhe të vijojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme. Ministria e Financave ka publikuar pritshmëritë afatmesme për ecurinë e ekonomisë për tre vitet e ardhshme në Kuadrin Makroekonomik e Fiskal, për periudhën 2022–2024.
Rritja ekonomike parashikohet në 5.5 për qind në vitin 2021 dhe parashikohet mesatarisht rreth 4.4 për qind në vit përgjatë periudhës afatmesme në vijim 2022–2024. Më specifikisht, rritja ekonomike parashikohet në 4.8, 4.5 dhe 3.9 për qind, respektivisht për vitet 2022, 2023 dhe 2024.
Gjatë periudhës afatmesme rritja pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi ashtu edhe investimet. Ndërkohë, kërkesa e huaj neto (eksport–import) pritet të ketë një efekt pothuajse neutral, marxhinalisht në kahun pozitiv. Konsumi privat të rritet mesatarisht 3% në vit, duke u nxitur kryesisht nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimet në tregun e punës.
Nga pikëpamja e ofertës agregate pritet që të gjithë sektorët kryesorë të vazhdojnë të rriten pak a shumë me të njëjtin trend të mesatares së tyre historike. Specifikisht, bujqësia pritet të rritet mesatarisht me rreth 2.5 për qind në vit në terma realë, përgjatë periudhës 2022–2024, me një kontribut mesatar vjetor në rritjen ekonomike prej rreth 0.5 pikë përqindjeje; Industria, me një rritje mesatare vjetore prej rreth 5.2 përqindësh dhe një kontribut mesatar vjetor prej rreth 0.6 pikë përqindjeje; Ndërtimi me rritje mesatare vjetore prej rreth 3.5 përqindësh dhe kontribut mesatar vjetor prej rreth 0.3 pikë përqindjeje; Shërbimet me një rritje mesatare vjetore prej rreth 5.1 përqindësh dhe një kontribut mesatar vjetor prej rreth 2.5 pikë përqindjeje.
/ SCAN