Si do të votohet më 25 Prill? Bylykbashi shpjegon modelet e fletës së votimit: Duhet emri i kandidatit, jo numër
Partitë politike dorëzuan ditën e djeshme në KQZ listat zyrtare të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.
Por si do të votojnë shqiptarët në këto zgjedhje? Si zgjidhet partia apo kandidati?
Për ti dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, i ftuar në “Tempora” në RTV Ora, ishte ish deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, një herazi edhe njohës shumë i mirë i çështjeve zgjedhor.
Përmes disa tabelave të paraqitura në emision, Bylykbashi shpjegoi si do të bëhet përzgjedhja e partive dhe emrave të kandidatëve të dielën e 25 Prillit.
Sonila Meço: Secili ka të drejtë të votojë një subjekt politik dhe një kandidat për deputet, gjithmonë të së njëjtës forcë, do të konsiderohej e pavlefshme…
Oerd Bylykbashi: Ose vetëm kandidatin dhe vlen edhe për partinë
Sonila Meço: Është vendosur një gjë e tillë?
Oerd Bylykbashi: Ata që thonë të kundërtën e kanë gabim thelbësisht. Nëse voton vetëm kandidatin vlen edhe për kandidatin, edhe për partinë apo koalicionin.
Teksa u nxorrën në ekran opsionet për fletët e votimit, Bylykbashi u shpreh se: “E para, fleta e votimit duhet të jetë më e thjeshtë se kaq. Kjo nuk është fleta ideale për zgjedhësit shqiptarë. Votuesi duhet të ketë mundësi të shohë në fletën e votimit emrin e kandidatit. Ky është një vendim që duhet të marrë KQZ, këto ditë, pasi janë vetëm 13 subjekte të regjistruara e për rrjedhojë fleta e votimit do të ketë vetëm 13 subjekte.
Sonila Meço: Nëse votoj vetëm partinë dhe jo kandidatin?
Oerd Bylykbashi: Vlen vetëm për partinë dhe rënditjen që ka bërë partia. Por nëse do të përdorësh votën preferenciale dhe gabon të bësh edhe zgjedhjen e partisë, quhet e pavlefshme.
Kujtojmë se, sipas sondazheve të kryera, rreth 30% e shqiptarëve nuk e dinë si do të votojnë dhe kjo mund të përkthehet në fletë të palvefshme.