Si e komenton VOA protestën në Himarë
“Zëri i Amerikës”-
Tre muaj pas përfundimit të zgjedhjeve vendore të 14 majit në Shqipëri kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri nuk ka mundur të bëjë betimin.
Ai ndodhet në burg me akuzën e “korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe pret të gjykohet nga Gjykata e Posaçme e shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Zoti Beleri i ka mohuar akuzat dhe e ka konsideruar hetimin ndaj tij sulm politik.
Ligji shqiptar për vetëqeverisjen vendore parashikon se mandati i kryetarit të bashkisë ndërpritet kur nuk paraqitet në detyrë më shumë se 3 muaj pandërprerë dhe sot 14 gushti shënon përmbylljen e këtij afati.
Organizata e pakicës greke “Omonia” thirri mbrëmjen e sotme një protestë në Himarë ku morën pjesë përkrahës të zotit Beleri, përfaqësuesit politikë të Koalicionit “Bashkë fitojmë “ dhe kryetarët e bashkive të dy qyteteve më të mëdha greke, Athinës dhe Selanikut dhe bashkive fqinje Gumenicvës dhe Korfuzit.
Folësit në tubim, mes të cilëve Ivi Kaso, Sekretari i çështjeve zgjedhore në Partinë Demokratike, Vangjel Dule, deputet i Partisë së të Drejtave të Njeriut, Ylli Manjani, ish Ministër i Drejtësisë kërkuan lirimin e menjëhershëm, kryerjen e betimit dhe marrjen e detyrës nga Fredi Beleri.
Dy kryetarë të bashkive më të mëdha në Greqi, ai i Athinës Kostas Bakojanis dhe kryetari i Bashkisë së Selanikut, Konstantinos Zervas u shprehën se ishin në mbështetje të kryetarit të zgjedhur të bashksië së Himarës.
“Paraburgimi është i paligjshëm, është shkelje e të drejtës dhe prezumimit të pafajësisë”, tha kryetari i bashkisë së Athinës, Bakojanis. Sipas tij Beleri “ka të drejtë të betohet dhe të marrë detyrën për të cilën e votuan qytetarët”.
“Dëshirojmë të mirëpresim Shqipërinë në famljen europiane, duam që të jetojmë të gjithë së bashku në shtëpinë tonë europiane, por kjo shtëpi do themele të fuqishme demokracine, shtetin e së drejtës, të drejtat politike, janë principet tona dhe janë të panegociueshme”, tha Bakojanis.
Arrestimi i kandidatit opozitar Fredi Beleri dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit në Himarë ka sjellë kohët e fundit një acarrim në marrëdhëniet e Tiranës me Athinën, sepse ai përfaqëson Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila mbron të drejtat e pakicës greke në Shqipëri.
Athina zyrtare ka këmbëngulur se pengimi sipas saj i zotit Beleri për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës do të sjellë një përkeqësim serioz në marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe do të ndikojë mbi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Qeveria shqiptare është shprehur se pavarësia e organeve të drejtësisë duhet respektuar dhe duhet të priten me durim provat dhe fjala e drejtësisë dhe askush të mos nxitohet me përfundime politike”.
Fredi Beleri ndodhet në paraburgim që nga ndalimi i tij nën dyshimet për shitblerje votash dy ditë para zgjedheve ndërsa Pandeli Kokaveshi, personi tjetër nën akuzë, , është lënë në masën e arrestit në shtëpi , prej gjendjes shëndetësore.
Bashkia e Himarës vijon të drejtohet prej vitit 2011 nga Jorgo Goro, përfaqësues i Partisë Socialiste, i cili në zgjedhjet e fundit humbi me një diferencë shumë të vogël votash me zotin Beleri.