Si erdhi vaksina Pfizer në Shqipëri? Zbulohet dokumentet, në pikëpyetje ruajtja e tyre në -80 gradë C
Qeveria ”Rama 2”, vijon që ta mbajë të fshehtë sesi erdhi në Shqipëri vaksina anti-covid. Në mënyrë të fshehtë dhe në mungesë totale të transparencës qeveria shqiptare ka siguruar vaksinën e Pfizzer, përmes 975 dozave të dhuruara nga një vend tjetër i Bashkimit Europian. Si erdhën vaksinat nga shteti bujar me Shqipërinë? Media ”A2 CNN”, ka siguruar dokumentet origjinale, për ditët e qëndrimit të vaksinës në Rinas dhe kohën e zhdoganimit.
Teksa mëngjesin e 11 janarit në stadiumin Arena nxitohej për t`u bërë gati infrastruktura për fillimin e vaksinimit, dozat e vaksinës ende nuk kishin dalë nga aeroporti i Rinasit. Jo pa qëllim vaksinimi u la në orët e pasdites. Vaksinat kanë përfunduar procesin e zhdoganimit në orën 2 pa çerek të 11 janarit, 60 minuta para nisjes së fushatës së vaksinimit.
Sipas këtij dokumenti origjinal, ngarkesa është e përjashtuar nga të gjitha detyrimet doganore dhe importi është bërë në emër të Institutit të Shëndetit Publik nga kompania Pfizer/Biontek në Gjermani. Por ky dokument tjetër ngre dyshime për kushtet e mbajtjes së vaksinës së Pfizer, e cila kërkon temperaturë ruajtje -80 gradë C.
Sipas këtij procesverbali vaksinat kanë mbërritur në Shqipëri, të shtunën e 9 janarit dhe janë mbajtur në kuti termike në Rinas për 2 ditë, deri mesditën e 11 janarit kur është bërë zhdoganimi i tyre, nga pasagjeri që përfaqëson Institutin e Shëndetit Publik. Ekspertët e Shëndetësisë duhet të japin sqarime për kushtet se si është ruajtur vaskina nga mbërritja deri tek injektimi i saj. Bashkimi Europian nuk ka fshehur habinë ndaj reagimit të përsëritur të kryeministrit Rama. Përmes ambasadorit në Tiranë Luigji Soreca, BE thotë se po negocion për sigurimin e sa më shumë vaksinave për vendet e Ballkanit. Brenda janarit priten të tjera vaksina dhuratë nga i njëjti shtet mik”.